Emigrantët që dëshirojnë të konvertojnë patentat shqiptare në patenta italiane nuk mund të bëjnë këtë që prej datës 25 dhjetor të 2019. Arsyeja është se në këtë datë ka përfunduar afati i marrëveshjes mes dy vendeve.
Në redaksinë e gazetës “Si” ka mbërritur shqetësimi i ngritur nga emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Itali. Ata thonë se me përfundimin e kësaj marrëveshjeje, autoritetet italiane kanë pezulluar të gjitha procedurat që konvertojnë patentat shqiptare në patenta italiane.
“Kam bërë kërkesën këtu në Itali për konvertimin e patentës (nga shqiptare në italiane) dhe rezulton se marrëveshjet mes dy shteteve nuk janë përditësuar, e si rrjedhojë nuk ma pranojnë kërkesën, edhe pse kam paraqit dokumentacionin e kërkuar”, thotë për gazetën “Si”, Edmond Lika, emigrant prej vitesh në Itali.
Lika nuk është i vetmi. Si ai ka edhe shumë shqiptarë të tjerë, që për shkak të kësaj “harrese” të shtetit shqiptar rrezikojnë që të humbasin vendet e punës, pasi nuk mund të drejtojnë mjetet me patentat shqiptare për më shumë se 12 muaj, por as mund t’i konvertojnë patentat shqiptare në ato italiane.
Ironia është se kjo nuk është hera e parë që harresat dhe burokracitë e zyrtarëve të Tiranës kanë prodhuar pasoja me kosto ekonomike e financiare të qenësishme për emigrantët shqiptarë në Itali. Marrëveshja e për konvertimin e patentave ka hyrë në fuqi më 25 dhjetor të 2014 dhe në të përcaktohej afati 5-vjeçar i saj.
Në të përcaktohej në mënyrë të detajuar formati i patentave shqiptare që autoritetet italiane lejonin të konvertoheshin. Bëhej fjalë për formatin “letër”. Por, autoritetet shqiptare në 2017 ndryshuan formatin e patentës, pa bërë më parë një ndryshim të thjeshtë në marrëveshjen me palën italiane.
Për këtë arsye, formati i ri i patentave shqiptare nuk u njoh nga pala italiane dhe konvertimi i tyre u ndalua. I gjithë ngërçi mori zgjidhje me amendimin e marrëveshjes së 2014 vetëm në shtator të 2019, më shumë se një vit e gjysmë pas hyrjes në fuqi të formatit të ri të patentave.
Por, kjo zgjidhje zgjati pak, pasi vetë marrëveshja e 2014 përfundoi më 25 dhjetor 2019 dhe as nuk është rinovuar e as ka sinjale se mund të nënshkruhet një marrëveshje e re.
Ironia e madhe në gjithë këtë çështje është fakti se marrëveshja përfundoi në një kohë kur autoritietet shqiptare prezantonin arrijten e marrëveshjes me Greqinë për njohjen e ndërsjelltë të patentave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.