Lajme

Haradinaj niset drejt Hagës: Luftëtarët e lirisë së Kosovës, gjithmonë me të drejtën

Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqjen disa ditë më parë, pasi është thirrur për t’u marrë në pyetje nga Gjykata e Hagës, është nisur drejt Hagës.
Kjo bëhet me dije nga vetë kryeministri, i cili ka publikuar një foto në rrjetin social “Facebook”, ku duket teksa hipën në një makinë dhe do niset për në Hagë.
Në postimin e tij, Haradinaj përcon edhe mesazhe me rëndësi sa i përket vendimit të tij të dorëheqjes dhe për për Kosovën në rrugëtimin e saj.
Ai shkruan se luftëtarët e lirisë së Kosovës kanë qenë dhe janë gjithmonë me të drejtën.
“Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën!
Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje. Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë!”, shkruan kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj.

https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/photos/a.179881242136298/1272105462913865/?type=3&theater

Disa ditë më parë, në një deklaratë për mediat, Haradinaj u shpreh se dorëheqja është e parevokueshme, pasi dëshiron të shkojë si qytetar i lirë përpara Gjykatës Speciale.
Ndërkohë, pas dorëheqjes së tij, sipas mediave kosovare, presidenti Thaçi ka vendosur që në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore, të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen më 8 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë