Partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar që Qeveria të ndërpresë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë.
Në një komunikatë, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie, Haradiaj bëri thirrje për mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për situatën e sigurisë së përgjithshme si dhe kërkoi mbledhjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë”.
Reagimi i Haradinaj vjen pasi të enjten Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzat për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Presidenti Thaçi dha dorëheqjen nga posti duke thënë se nuk dëshiron të shkojë para Dhomave të Specializuara si president i Kosovës.
Në korrik të vitit 2019 vetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pati dhënë po ashtu dorëheqjen nga posti i kryeministrit pasi kishte marrë ftesë për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Haradinaj asnjëherë nuk ka qenë idhtar i dialogut që Kosova zhvillon me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Në fund të vitit 2018 qeveria e drejtuar nga ai vendosi tarifë ndaj mallrave serbe, duke bllokuar dialogun për më shumë se një vit.
Gjatë këtij viti, dialogu ka rifilluar, por palët nuk kanë arritur asnjë marrëveshjeje. Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje kur do të përfshihet njohje e ndërsjellë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




