Kryeministri Edi Rama kërkoi zbatimin me përpikmëri të protokolleve të sigurisë për hapjen e shkollave, ndërsa paralajmëroi se me hapjen e shkollave është e pashmangshme shtimi i rasteve të reja me Covid-19.
“Numrat vetvetiu do të rriten, këtë e dimë nga praktika ndërkombëtare. Kjo është hapje e madhe brenda të gjithë hapësirës, tanimë të hapur plotësisht të Shqipërisë, që do të shtojë numrat”, u shpreh ai.
Për këtë arsye, Rama kërkoi nga mësuesit që të jenë në lartësinë e duhur dhe shembull në zbatimin e masave anti-Covid.
“Duhet të jeni në krye të detyrës në terren për të ndjekur me rigorozitet zbatimin e udhëzuesit nga germa e parë në germën e fundit dhe këtu nuk është më çështja për të kryer një detyrë shtetërore, por për të qenë shembull për të gjithë njerëzit e sistemit arsimor, që nga drejtuesit e shkollave deri te të gjithë mësuesit, përfshirë edhe prindërit”, tha Rama.
Rama mblodhi këtë të martë në një takim virtual drejtuesit e zyrave arsimore rajonale, ku bëri me dije edhe se në të gjithë vendin do të hapen rreth 2600 shkolla dhe në një pjesë të konsiderueshme të tyre, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, mesimi do të kryhet me 2 dhe tre turne.
“Janë 1997 shkolla që kanë 1 turn, 472 do të jenë me 2 turne, 183 shkolla kanë tre nën turne. Në klasa në mënyrë absolute duhen respektuar rregullat dhe nuk duhet të ketë më shumë se 20 nxënës”, shtoi ai.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se mbajtja mbyllur e shkollave nuk ishte më një mundësi që po shqyrtohej nga Qeveria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



