Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten ndryshimet kushtetuese me 106 vota pro dhe 10 kundër.
6 deputetë nuk kanë votuar pasi nuk ishin në sallë.
Ndryshimet në Kushtetutë krijojnë mundësinë e hapjes së pjesshme të listave 2/3 nga populli dhe 1/3 nga subjektet politike, heq koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, dhe vendos prag kombëtar. Heqjen e koalicioneve e konfirmoi edhe kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur.
“Çfarë lidhje e ndershme është kur i thua votuesit ke një tren me 40 parti dhe nuk i sheh çfarë ka nëpër vagona, hidhe votën këtu te vagoni që do kapi dora dhe vota jote nuk i shkon atyre që janë në atë vagon po mblidhet te lokomotiva ose të vagoni i dytë dhe vagoni i dytë sillet si lokomotivë pastaj duke marrë zvarrë sa njërin sa tjetrin me gjysmën e votave për deputetë që kanë lokomotivat e këtyre trenave pa fund, çfarë është kjo, këtë do e fshijmë sot dhe është fshirje e vonuar e një hileje që ka karakterizuar zgjedhjet në vend për vite të tëra e që ka deformuar vullnetin e shqiptarëve”, – tha Rama
Kryeministri nënvizoi se, “sistemi i ndërtimit të koalicionit do të bëhet si në çdo vend tjetër ku nuk ka trena fantazëm që nisen me bishta lopatash për të marrë vota lart e poshtë”
Për deputetët që votuan kundër, kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, tha më herët:
“Më vjen mirë që PD-LSI janë rikthyer në Kuvend, do ju lutesha ju që jeni bashkuar mbrëmë gjatë natës në përpjekje për të penguar Kuvendin për të hapur listat. Formësoni grupet dhe mund të merrni këshilltarë zotin Bardhi dhe Vasili dhe këdo që keni takuar dhe dakordësuar qëndrimin tuaj. Ky është hap pozitiv për një gjithëpërfshirje edhe të partive që përmenda më lart” tha Balla
Deputetët që votuan kundër ndryshimeve kushtetuese
Adriatik Alimadhi
Fatjona Dhimitri
Gjetan Gjetani
Kujtim Gjuzi
Elda Hoti
Lefter Maliqi
Erion Piciri
Artur Roshi
Zef Shtjefni
Suzana Topi
Rama: Parlamenti sot nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik
Kryeministri Edi Rama kishte një mesazh sot në Kuvend jo për opozitën jashtë Kuvendit, por për ambasadorët.
“I takon shtetit shqiptar të Kuvendit se çfarë bën me sistemin zgjedhor, nuk është zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë as me ambasadoren amerikane, as më atë të BE-së dhe me askënd tjetër duke i respektuar maksimalisht…”, tha Rama në Kuvend teksa paralelisht votohej për ndryshimet kushtetuese.
“Nuk mund të bëhen edhe 30 vjet të tjera, nga ato që kaluam, nëse vazhdojmë të mos i themi gjërat siç janë dhe natyrisht nuk është përgjegjësia e ambasadores amerikane, atij të BE-së, Uashingtonit apo Brukselit, Berlinit apo Parisit që prej 30 vjetësh kërkojnë në anglisht zgjidhjen e problemeve që janë shqiptare…”, shtoi Rama.
Kryeministri komentoi edhe një fjali të Yuri Kim një ditë më parë se çdo veprim i Parlamentit sot nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. “Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre”, nënvizoi ajo. Një fjali që Ramës sa duket nuk i ka lënë shije të mirë.
“Nuk më vjen mirë sinqerisht dhe ajo fjali është një arsye për cdo person në këtë vend që kur merr përsipër të përfaqësojë popullin vetë në sallë të mos e bëj qesharak popullin e vet, dhe shtetin e vet sepse e kemi krijuar ne këtë trashëgimi të ulët e cila është vazhdim i një historie të gjatë moskuptimesh mes shqiptarëve që kanë çuar shqiptarët në situata të pajustifikueshme dhe që nuk e kanë lënë këtë vend të bekuar që populli të jetojë me dinjitet. Kjo votë sot është votë me dinjitet është vendimmarrja jonë terësisht e përputhur me standardet ndërkombëtare dhe me ambicien për ta bërë një vend më demokratik një vend ku përgjegjësia përkthehet në punë për Shqipërinë dhe jo në sherr mes shqiptarëve…”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.