Njerez

Hapi dyert e Ambasadës gjatë komunizmit, ndahet nga jeta ish-ambasadori gjerman Werner Daum

Ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum, ka ndërruar jetë në Shqipëri, vendin që e kishte në zemër dhe që e deshi thellësisht. Diplomati gjerman u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, ndërsa ndodhej në vendin tonë prej disa ditësh.

Sipas burimeve, ai u gjet i pajetë në dhomën e tij të hotelit, ndërsa kishte marrë pjesë pak ditë më parë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo, në Kavajë.

Werner Daum shërbeu si ambasador i Gjermanisë në Tiranë nga viti 1987 deri në 1990, në një periudhë vendimtare për të ardhmen e vendit. Gjatë kësaj kohe, ai tregoi një guxim të jashtëzakonshëm, duke hapur dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët që kërkonin arratisjen nga regjimi komunist, një veprim që e bëri në kundërshtim të plotë me udhëzimet zyrtare të qeverisë së tij.

Në një intervistë të mëvonshme, Daum rrëfeu se e kishte marrë këtë vendim me vetëdije të plotë, pasi e kuptonte që një eksod masiv i shqiptarëve do të përshpejtonte rënien e diktaturës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë