Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur 2 tenderë për ndërtimin e bypass-it të Tiranës, me një fond limit 6 miliardë lekë.
Kontratat përfshijnë ndërtimin e rrugës Kashar – Nyja Vaqarr Faza I dhe II. Me një gjatësi prej 21.6 kilometrash, kjo rrugë do të përshkojë pjesën jugore, jugperëndimore dhe perëndimore të Tiranës, duke filluar pranë Qendrës Tregtare City Park në Kashar dhe duke përfunduar në Mullet, në kryqëzim me autostradën Tiranë–Elbasan. Traseja do të ketë dy korsi në secilën drejtim, një gjerësi prej 10.5 metrash dhe do të lejojë shpejtësi deri në 120 km/h.
Rruga do të kalojë në një terren fushor dhe kodrinor, duke përfshirë ndërhyrje të thella teknike si ura të dyfishta mbi lumin Erzen, ndërtim të një tuneli të ri në Rrogozhinë, dhe vendosjen e tre nyjeve kryqëzimi. Një nga to është me rrugën ekzistuese Tiranë–Durrës (Plepa), ku parashikohet një nyje hyrëse-dalëse për zonat përreth. Dy të tjerat lidhen me autostradën Kashar–Rrogozhinë dhe autostradën Tiranë–Elbasan.
Projekti i plotë parashikohet të kushtojë rreth 15 mld lekë bashkë me shpronësimet dhe do të jetë pjesërisht i financuar nga Bashkimi Euroopian.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.