Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur përsëri garën në APP për Aeroportin e Sarandës. Procedura “Dhënie me koncesion/PPP për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit të Sarandës” do të zgjasë deri më 26 nëntor 2021 për operatorët e interesuar mbi këtë projekt.
1 javë më parë u anulua tërësisht prokurimi për këtë projekt me arsyetimin nga MIE se nuk kishte asnjë ofertë për aeroportin i cili ndryshe nga koncesionet e tjera të deritanishme si ai i Kukësit apo Vlorës nuk parashikon garanci nga ana e qeverisë. Ky aeroport do të jetë tërësisht në riskun e investitorit dhe do të ketë profilin e një aeroportin sezonal turistik.
Gjatë periudhës së shkurtër që ky projekt ka qëndruar në APP ka pasur ndryshime të shpeshta që nga afati e deri tek kriteret. Për herë të parë u hap në gusht 2021.
Kohëzgjatja e kontratës koncesionare (Partneritetit Publik-Privat, PPP) është 35 vite nga hyrja në fuqi e saj. Vlera e parashikuar e projektit është 34.3 mln euro (pa TVSH).
Kompanitë ofertuese duhet të plotësojnë kriterin e përvojës në projekte ndërtimi ose rinovimi të paktën të një aeroporti ku rinovimi konsiston në terminalin e pasagjerëve; pista dhe vendqëndrimi (kategoria 3C ose me lart), gjatë 10 viteve të fundit, me kapacitet 1 milion pasagjerë ose më shumë.
Dokumentet e prokurimit përcaktojnë se koncesionari do të zhvillojë dhe azhurnojë vazhdimisht (çdo 5 vjet) master planin e Aeroportit Ndërkombëtar të Sarandës, duke përfshirë parashikimet për fluksin e pasagjerëve, sigurinë, investimet e reja etj.
Në 3 fazat e operimit të aeroportit me koncesion në 5 vitet e parë të operimit parashikohet që terminali i pasagjerëve të akomodojë jo më pak se 130 mijë pasagjerë/vit ose 300 pasagjerëve në orë. Në fazën e dytë pas 5 vitesh operim parashikohet që fluksi i pasagjerëve të jetë 300 mijë pasagjerë/vit. Faza e tretë që përkon pas 10 vitesh aktivitet fluksi i pasagjerëve pritet të jetë 700 mijë në vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje