Nga Gazeta Si- Për herë të parë këtë vit hapet programi i gjuhës së shenjave në Universitet.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dha lajmin se ky program do të hapet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja cka do të mundësojë që gjuha e personave që nuk dëgjojnë të njihet dhe të mësohet në nivel akademik.
“Për herë të parë, këtë vit hapet programi i gjuhës së shenjave në Universitetin e Tiranës, duke mundësuar që gjuha e tyre të njihet dhe të mësohet në nivel akademik, duke rrëzuar barrierat për studentët me aftësi ndryshe, me qëllim përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën akademike dhe studentore”, tha Manastirliu.
Më herët, këtë risi e ka njoftuar edhe dekanja e Fakultetit Esmeralda Kromidha e cila në korrik tha se programi për gjuhën e shenjave hapet për herë të parë në Shqipëri por edhe në Ballkan dhe do jetë një ndihmë për rreth 39 mijë persona që nuk dëgjojnë.
Programi i gjuhës frënge dhe gjuhës së shenjave është një iniciativë që sipas Florjan Rojba, drejtori i Shoqatës kombëtare të personave që nuk dëgjojnë, është një mundësi e mirë e formimit të mësuesve të cilët në të ardhmen do të kontribuojnë në edukimin e nxënësve që nuk dëgjojnë.
“Në të njëjtën kohë këta studentë do të jenë interpretët e ardhshëm për të ofruar më shumë akses në informacion në gjuhën e shenjave për komunitetin e njerëzve që nuk dëgjojnë”.
Lajmi i dhënë nga ministrja e arsimit për hapjen e këtij programi vjen me një tjetër ‘lajm’.
Sipas të dhënave të marra nga U-Albania, në këtë program nuk është regjistruar asnjë student deri më tani, duke i lënë të 31 kuotat të lira.
Mbetet për tu parë nëse këto kuota do ezaurohen në raundin e dytë të regjistrimeve që nis më 28 shtator dhe përmban 5 faza.
Në vitin 2014, qeveria shqiptare njohu zyrtarisht Gjuhën e Shenjave në Shqipëri (Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 837, datë 03.12.2014). Shtetasit shqiptarë që nuk dëgjojnë kanë të drejtën e tyre të përdorin gjuhën e shenjave.
Gjuha e Shenjave Shqipe ka evoluar natyrshëm në komunitetin shqiptar të personave që nuk dëgjojnë, ndërsa personat që nuk dëgjojnë takohen dhe bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Ndonëse në vitin 1963 u themelua një shkollë për personat që nuk dëgjojnë, Instituti për Nxënësit që nuk Dëgjojnë në Tiranë, komunitet i personave që nuk dëgjojnë nuk mund të shfaqej përpara rënies së komunizmit, në vitet 1990.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.