Menaxhim

Hapësirë sportive dhe tregtare, “Asllan Rusi” dhe ish-terminali i shkojnë privatit

Nga Gazeta ‘SI’ – Subjekti privat i interesuar për të shndërruar pallatin e sportit “Asllan Rusi”, do të përfitojë edhe hapësirën e parkimit dhe të terminalit pas pallatit.

Sipas projektit të shpallur nga Këshilli i Investimeve Shqiptare, projekti I ri do të ketë funksione të përziera, nga hapësirat sportive, tek ato tregtare dhe ato për banim.

Sipërfaqja totale bruto e ndërtimit e vlerësuar është rreth 13.500 m², mbi tokë, pa përfshirë hapësirat e jashtme, si parkimet dhe sheshet, ndërsa hapësira ku mund të ndërtohet është rreth 26 mijë m².

Konkursi do të ketë dy faza ku vetëm kandidatët e kualifikuar në fazën e parë do të ftohen në fazën e dytë të konkurrimit nëpërmjet dërgimit të Ftesës për Propozim. Faza e dytë e përzgjedhjes së kandidatit fitues për kontratën konsiston në paraqitjen e një propozimi që përmban 2 (dy) pjesë, projekt idenë arkitekturore (zarfi 1) dhe ofertën financiare (zarfi 2). Ofertat financiare të paraqitura nga kandidatët në këtë fazë duhet të plotësojnë kriterin bazë, i cili është 40% (dyzet për qind) e sipërfaqes totale të zhvillimit në pronën shtetërore (prona e Bashkisë Tiranë/Qendra Sportive sh.a.).

Ndërhyrjet tek “Asllan Rusi” janë pjesë e një nisme të re nga qeveria, e cila kërkon të rijetëzojë godinat shtetërore jofunksionale ose të pamirëmbajtura. Zhvillimi kryhet nga subjektet private të cilat mund të shfrytëzojnë hapësirën ku investojnë.

Deri më tani janë shpallur projektet e ish-ATSH-së, Kadastrës, Aviacionit Civil dhe stadiumit “Selman Stërmasi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë