Lajme

Hapen çerdhet dhe kopshtet. S’ka më orare për lëvizjen

Këtë të hënë në vendin tonë ka nisur një fazë tjetër me masa lehtësuese sa i përket Covid-19 dhe nuk do të ketë më zona të kuqe apo të gjelbra, pra nuk do të ketë më kufizime orari.

Nga sot, e cila përkon edhe me ditën e fëmijëve 1 qershorin, hapen kopshtet dhe çerdhet.

Ambientet e kopshteve dhe çerdheve janë dezinfektuar dhe do të funksionojnë me rregulla të rrepta sigurie.

Edhe kufijtë tokësorë do të hapen dhe është hequr edhe detyrimi i vetëkarantinimit, përveç rasteve kur vendoset nga autoritete shëndetësore. Lajmi i mirë është se hapen plazhet që menaxhohen nga struktura akomoduese, hotelet.

Po ashtu do të nisë edhe kampionati i futbollit edhe pse do të duhet që emocionet e ndeshjeve t’i përjetojnë nga televizori, pasi nuk do të lejohen që të ulen në shkallët e stadiumit për të parë skuadrën e tyre të zemrës, me qëllim shmangien e grumbullimeve të mëdha të njerëzve.

Megjithatë, nuk ka ende një vendim se kur do të hapet transporti publik, e ndërsa është planifikuar që hapja e pishinave, teatrove, kinemave, e klubeve të natës, mbajtja e konferencave dhe tubimeve të bëhet pas 23 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë