Janë hapur këtë të hënë aplikimet për Start Up-et më të mira, apo idetë inovatore dhe lehtësuesit e tyre (aktorë të tretë që ofrojnë shërbime mbështetëse për Start Up-et, p.sh një shkollë, qendra teknologjike etj). Sipas Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, Start-Up-et më të mira do të fitojnë grante për zhvillimin e mëtejshëm nga 1 deri në 5 milionë lekë. Aplikimi do të jetë i hapur deri më datën 5 qershor.
Fillimisht individët e interesuar vetëdeklarohen si Start Up ose lehtësues në portalin e-Albania. Më pas pajisen me pasaportën e Startup-it apo lehtësuesit.
Pas kësaj bëhet aplikimi në faqen e Ministrit ku janë edhe kriteret e kërkuara në tre kategori. Start-up et që janë ende të paregjistruara do të përfitojnë 1.5 milionë lekë grant.
Start Up-et që janë në fazë zhvillimi dhe që kanë deri në një vit operim aktiviteti, do të përfitojnë 3 milionë lekë në formë granti.
Start Up-et që kanë nga 1 vit deri në 5 vjet të regjistruara do të përfitojnë 5 milionë lekë grant.
Dhe në fund, pas dy javëve nga përfundimi i afatit të aplikimeve, shpallen fituesit e ideve që përzgjidhen si më të mira.
Bizneset Start Up në Shqipëri janë shpesherë pjesë e skemave lehtësuese nga qeveria apo bizneseve më të mëdha private, por kapacitetet nuk janë të shfrytëzuara plotësisht.
Në konsultim mbetet ende projektligji i propozuar për Stat Up-et, ku synohet hartimi i një kuadri rregullator dhe institucional të favorshëm për krijimin e zhvillimin dhe mbështetjen e ekosistemit të tyre. Për nxitjen e kërkimit, realizimit dhe përdorimit të ideve inovative, si dhe modeleve, produkteve dhe proceseve të reja, të cilat sjellin risi në çdo fushë për zhvillimin ekonomik.
Kështu, Start Up-et do të mund ta kenë më të lehtë depërtimin në treg, tërheqjen e burimeve njerëzore, por edhe lehtësimin dhe mbështetjen në aksesimin e burimeve financiare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.