Nga Gazeta “SI”– Tirana tashmë ka një tjetër qendër kulturore të re e cila do të shërbejë për aktivitete kulturore dhe artistike. Hapësira e re e quajtur “Hangart” e cila ndodhet në pjesën anësore të ish Kinostudios “Shqipëria e re” do të jetë një hapësirë në dispozicion të artistëve kryeqytetas dhe jo vetëm.
Rezidencat dhe qendrat kulturore më në fund duket se janë tashmë praktika dhe fokusi kryesor i institucioneve të kulturës dhe artit në Shqipëri. Pas hapjes së “Vila 31” dhe rezidencës së shkrimtarëve në Fishtë, në shtëpinë e Gjergj Fishtës, ishte Tirana sërish destinacioni i ri i një vatre kulture e quajtur “Hangart”.
Në praninë e artistëve dhe njerëzve të kulturës së kryeqytetit, hapësira u inagurua nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Ekonimisë, Kulturës dhe Inovacionit , Blendi Gonxhja. Ky i fundit vuri theksin tek buxheti i shtuar i ministrisë për skenën e pavarur kulturore e gjithashtu njoftoi se rezidencat por dhe institucionet e kulturës do jenë fokusi i madh gjatë katërvjeçarit të ardhshëm.

Rama: Hapësirat dhe arti nuk do të mungojnë, por kemi mungesë menaxherësh të artit.
Një pyetje të cilën çdo artist ia bën vetes , lidhet me menaxhimin e këtyre qendrave të reja të kulturës të cilat parë nga praktika, shpesh u janë dhënë në menaxhim organizatave të huaja. Rasti më i fundit është “Vila 31” ku menaxhimi i është besuar “Art Explora-s” një organizatë me bazë në Paris. Dhe për të shuar këtë dilemë të artistëve , kryeministri Rama në fjalën e mbajtur vuri theksin tek mungesa e burimeve njerëzore vendase në menaxhimin e arteve.

“Kemi mungesë menaxherësh vendas të artit. Nuk mund të mbështetemi gjithmonë tek burimet e jashtme. Ne do të gjejmë mënyrën të krijojmë këtu një shkollë menaxherësh. Duhet tu japim më shumë mundësi djemve dhe vajzave të talentuar që të formohen në të gjitha fushat. Ka filluar një aktivitet shumë frymëzues me shkollën e re të filmit. Një aktivitet bashkimi vullnetar mes atyre që kanë hapur derën dhe neve që u kemi vënë në dispozicion hapësirën. Ne duam të stimulojmë hapësira të tilla. Pra do të kërkohet tu jepet mundësi djemve dhe vajzave që janë formuar jashtë dhe që kanë dëshirë të jenë pjesë e skenës kulturore, të kenë dhe mundësi të mësojnë dhe të tjerët” tha Rama.

Por sërish dilema dhe pikëpyetja e madhe e artistit i cili aspiron të jetë pjesë e këtyre godinave dhe hapësirave është se kush do ti menaxhojë këto asete aktuale deri në formimin e brezit të ri të menaxherëve , në mënyrë që edhe artisti shqiptar mos ti ngjajë më fëmijës së vogël të shtëpisë që sheh mezetë në tavolinë në ditë festash por që nuk guxon ti prekë sepse e di që ato i përkasin të huajve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.