Politike

Halli ‘Basha’, halli ‘Gërdeci’ dhe sikleti ‘Rama’, Kuvendi në kaos për dosjen e ish-zyrtarit të FBI

Ajo që ndodhi në seancën e të enjtes në Kuvend ishte kronikë e një ngjarje të paralajmëruar.

PD kërkoi që më mëngjes mocion me debat për arrestimin e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal, duke akuzuar se, "ka marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga një ish-agjent i sigurimit shqiptar për të punuar kundër opozitës", konkretisht për të hapur një hetim ndaj ish-lobistit të Lulzim Bashës për zgjedhjet e 2017-ës, Nick Muzin.

Kërkesa ishte firmosur edhe nga Sali Berisha që paracaktonte se nuk do të pranohej sa kohë që mazhoranca ka vendosur të mos pranojë asnjë propozim me firmën e tij.

Filmi më pas u përsërit, por kësaj here me një ndryshim; Grupi i  PD-së ishte në unison.  

Njërën palë e bashkoi halli ‘Basha’ dhe tjetrën halli ‘Gerdeci’.

Paralelisht në SPAK, Shkëlzen Berisha ishte thirrur për të dëshmuar sërish.   

Enkelejd Alibeaj kërkoi llogari se pse Rama nuk ishte në Kuvend për dosjen më të diskutuar “McGonigal”.

“Njeriu që është strumbullari i një skandali korruptiv që ka disa dite që vlon në Shqipëri duhet te japë sqarim për disa çështje që i përkasin vetëm atij... Duhet të japë sqarim më së pari në Parlament dhe është i detyruar të jetë prezent. Duhet të japë llogari! Pyetja që shtrohet është fare e thjeshtë: Ku e keni fshehur Edi Ramën?!”, tha Alibeaj, ndërsa Lindita Nikolla vijonte me rendin e ditës pasi kishte rrëzuar më herët kërkesën e një pjesë të deputetëve të PD-së për të thirrur Ramën në Kuvend.

Në anën tjetër Sali Berisha kish bllokuar foltoren.

Duke folur më shumë me ndjekësit e tij në Facebook përmes një lidhje Live nga foltorja e Kuvendit, Berisha kërkoi që Edi Rama të ishte prezent.

“Silleni këtu, silleni këtu... Ai sot (Rama) nuk shpëtohet”, drejtonte me gisht Berisha drejt karriges bosh që rëndom i përket kryeministrit Edi Rama.

Kakofonia zgjati për disa minuta.

Nga njëra anë Nikolla vijonte me votimin e rendit të ditës (duke kaluar edhe dy interpelanca të rëndësishme të kërkuar më herët nga opozita), Berisha që hera herës nga pafuqia ndërpritej dhe zëvendësohej me Flamur Nokën për t’i dhënë më shumë zë podiumit, Bardhi që i hakërrehej Nikollës i ndaluar nga gardhi i gardistëve e Balla që i kujtonte Sali Berishës 21 janarin dhe kaluar me një fjali ‘sikletin’ e Ramës .

“Po mundohet (Berisha) të mbulojnë faktet e reja të 21-janarit. Kjo çështje që po diskutohet Non Grata i Amerikës, po hetohet... Drejtësia amerikane ka zero akuza ndaj Ramës dhe ndonjë anëtari të qeverisë...”, thërriste Balla nga vendi.

Në fund, pas votimit të rendit të ditës ku nuk u kuptua asgjë, Lindita Nikolla njoftoi mbylljen e seancës.

Ajo tha gjithashtu se Berisha ishte përjashtuar si dhe njoftoi se katër deputetët që Alibeaj ka përjashtuar nga grupi ishin regjistruar si të pavarur.

Seanca u mbyll, deputetët dolën. Por Berisha jo. Qëndroi edhe disa minuta në Facebook-un e tij dhe Live nga Foltorja.

Më pas iku edhe ai bashke me një punonjës të administratës që priste të lirohej salla.

“Edi Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë për të manipuluar, falsifikuar, trilluar kundër opozitës shqiptare.

Kjo përbën një mega-krim, një krim ndërkombëtar, për të cilin ne do kërkojmë nga autoritetet amerikane që t’i japin dënimin më të rëndë.

Ju duhet ta dini edhe se Deripaska është një nga kompanitë sot, edhe sot që flasim, më prezente në Shqipëri.

Është një nga kompanitë me të cilat ka përfituar statusin e investitorit strategjik, ka përfituar koncesione, ka përfituar tendera nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Deripaska është miku numër një i Vladimir Putinit, rekrutuesi me korrupsion i Charles McGonigal.

A u takua Rama, McGonigal dhe Deripaska? A drekuan apo darkuan së bashku? Këto do i sqarojë drejtësia. Por një gjë është e sigurt, se Edi Rama me të gjitha qëndrimet e tij, del agjent influent rus...”, tha Berisha, duke e çuar ujin në një tjetër ulli, kur foli për mediat jashtë Kuvendit.

Në fund, siç ai e ka zakon, shtoi tonet:

“Nuk ka më paqe në këtë vend pa u zgjidhur këto probleme. Largimi i Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve”.

Berisha iku, opozita po ashtu. Por debati mbeti. N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë