Nga Miquel Echarri – Një lloj i ri antiheroi po pushton botën: nerd-i i lig, ose nerd-i që është kthyer në personazh negativ. Këto trashëgimtarë shpirtërorë të Lex Luthor-it dhe armiqve klasikë të James Bond-it po lidhen gjithnjë e më shumë me personazhe reale, më së shumti me Elon Musk-un, njeriun që lëshon raketa në hapësirë ndërsa shkarkon me dhjetëra mijëra nëpunës civilë amerikanë.
Një kor në rritje zërash sugjeron se tiranët më të rrezikshëm mund të jenë pikërisht ata që dikur kanë duruar përçmimin e margjinalizimit adoleshent. Mirë se vini në ngritjen e një rendi të ri: nerdokracia?
Moira Donegan, në një shkrim për The Guardian, argumenton se kemi hyrë në epokën e nerd-it narcisist. Ajo përshkruan Musk-un si një ish-fëmijë i turpshëm dhe i zellshëm, që tani “këmbëngul të hedhë solemnitetin dhe të jetë demonstrativisht mosrespektues dhe i shkujdesur ndërsa shkatërron jetët e njerëzve”.
Në “Medium” , George Dillard shton se edhe figurat më të përmbajtura të këtij grupi si Jeff Bezos dhe Mark Zuckerberg besojnë se ka ardhur koha e ngjitjes së tyre përfundimtare, e mundësuar nga ngritja e Donald Trump-it. Sipas Dillard-it, kjo është arsyeja pse Zuckerberg ka lënë mënjanë çdo përmbajtje dhe tani vishet si një crypto bro, duke shfaqur një orë 900 mijë dollarëshe duke mos u shtirur më si njerëz të zakonshëm.

Në podkastin e saj “The Comment Section”, Reagan Conrad shpreh pasiguri për legjionin e ndjekësve të rinj dhe inteligjentë të Elon Musk-ut, a do ta shpëtojnë ata Amerikën, apo thjesht do ta marrin nën kontroll?
Ndërkohë, disa komentues konservatorë kanë një ton më optimist. Analistë si Nolan Finley dhe Brittany Chain sugjerojnë se ngritja politike e sipërmarrësve miliarderë të teknologjisë mund të mos jetë një katastrofë, por përkundrazi të ofrojë një zgjidhje radikale për ekonominë amerikane të “thyer”.
Regjisori Lars Von Trier ka thënë se nuk është e nevojshme të jesh rritur në Texas, Ëyoming apo Montana për të kuptuar kulturën e shkollës së mesme në SHBA. Në një mënyrë, të gjithë kemi ndjekur një shkollë të mesme amerikane diku në atë version të globalizuar të Shteteve të Bashkuara që na ka ardhur përmes serialeve, filmave, muzikës, komikëve dhe videolojërave. Të gjithë i njohim stereotipet: maturat, cheerleader-at dhe etiketat tribale si sportistë dhe, natyrisht, nerd-a.

Siç ka treguar shkencëtari dhe eksperti i teknologjisë Burr Settles përmes një analize statistikore të qindra mijëra ndërveprimeve në rrjete sociale, nerd-ët dikur të përçmuar tani janë ngjitur në majë të zinxhirit shoqëror.
Settles është përpjekur të përcaktojë një herë e mirë dallimin mes nerd-ëve dhe fisit të tyre fqinj: geek-ëve, me të cilët shpesh ngatërrohen. Ai madje ka pyetur se cila etiketë e përshkruan më mirë vetveten e tij të rinisë: nerd apo geek? Përfundimi i tij: geek-ët janë mbledhës, nerd-ët janë studiues. Geek-ët priren drejt videolojërave dhe komikëve japonezë; nerd-ët drejt shahut dhe sudokut. Të dyja grupet mund të duken shoqërisht të çuditshëm, por ka një dallim kyç, geek-ët janë introvertë, ndërsa nerd-ët janë sipërmarrës arrogantë që ndihen mirë kur të tjerët i përçmojnë. Sheldon Cooper? Geek. Steve Jobs, Bill Gates, Mark Zuckerberg? Nerd-ë.
Deri në mesin e viteve ’80, të dyja palët do të përfshiheshin në etiketën më të gjerë “freaks”. Por rreth asaj kohe me ardhjen e kundërrevolucionit konservator të Ronald Reagan-it dhe filmave si Revenge of the Nerds (1984), nerd-ët nisën të shfaqeshin si një fis i veçantë, një elitë kryengritëse gati për të sfiduar sistemin shoqëror të shkollës së mesme, ndërsa geek-ët mbetën në dhomat e tyre duke luajtur me përbindëshat.
Trey Parker, bashkëkreator i “South Park”, e ka përmbledhur këtë përmbysje me qartësi brutale: ai (një nerd profesionist, siç e quan veten) tani fiton miliona, ndërsa shumë nga sportistët e shkollës që dikur e tallnin, sot kthejnë hamburgerë te McDonald’s. Bill Gates e çoi edhe më tej në një fjalim për maturantë 14 vite më parë, kur tha :

“Silluni mirë me nerd-ët. Ka shumë gjasa të punoni për një të tillë.”
Ka diçka thellësisht të kënaqshme madje shëlbuese në këtë ndjesi. Logjika tiranike e shkollës së mesme nuk vlen në botën reale. Të fundit bëhen të parët. Inteligjenca, ambicia dhe këmbëngulja shpërblehen; forca fizike dhe ngacmimi ndëshkohen. Që në vitin 1990, Leonid Fridman e shprehte këtë në një editorial të lexuar gjerësisht në The Neë York Times:
“Amerikës i duhen nerd-ët.”
Sipas Fridman-it, talenti i vërtetë dhe transformues gjendej te ata që kishin kaluar vitet formuese në mësim të pavarur, duke ushqyer kureshtjen e tyre intelektuale dhe teknologjike, dhe duke hyrë kështu në një botë të re: ekonominë e dijes. Dhe ne tashmë jetojmë në atë botë.
Në kujtimet e tij, Bill Gates rrëfen se ka ndjekur një shkollë të mesme të dominuar nga anti-intelektualizmi. Nxënësit që ishin ndryshe dhe që mësonin shumë dhe që eksploronin interesa të pazakonta, përballeshin me përçmim. Por pikërisht kjo gjeneratë të përjashtuarish do të bëhej më vonë themeluesja e “Silicon Valley”-t, arkitektët e Revolucionit të Tretë Tani,

Musk vetë është një figurë e çuditshme në nënkulturën nerd, edhe pse është kthyer në simbol të përfaqësimit të saj politik. Djali i Maye Haldeman ,modele dhe dietologe , dhe Errol Musk inxhinier dhe pilot Musk pati një adoleshencë tipike nerd. Me dashuri obsesive për kompjuterët dhe librat, me një marrëdhënie të tensionuar me të atin që e ka quajtur “një njeri të tmerrshëm”, dhe përballje me ngacmime të shumta. Biografia nga Walter Isaacson tregon një episod vendimtar: Musk kaloi ditë të tëra në spital pas një rrahjeje brutale nga shokët e klasës , një tregim që e ngulit titullin e nerd-it.
Seriali dokumentar Elon Musk: Superhero apo Supervillain (2022) eksploron këto trauma formuese dhe mënyrat sesi mund të kenë ndikuar tek njeriu më i pasur në botë. Në “The Neë Yorker”, historiania Jill Lepore plotëson portretin e këtij personazhi të veçantë, duke e krahasuar me industrialistë amerikanë si Andreë Carnegie, inovatorë si Thomas Edison, dhe madje edhe me figura të rrezikshme si Dr. Manhattan nga Watchmen.

“Po përpiqesh sinqerisht të shpëtosh botën?” e pyeti komediani Stephen Colbert në “The Late Shoë”. Musk, duke reflektuar ndoshta akoma si nerd-i introvert dhe socialisht i papërshtatshëm që është, u ngatërrua në përgjigje dhe tha se “thjesht po përpiqej të bënte diçka të mirë.” Colbert ia ktheu:
“Po përpiqesh të bësh gjëra të mira dhe je miliarder. Je ose super-hero, ose super-armik. Duhet të zgjedhësh.”
Sipas Jill Lepore, kjo është pikërisht dilema e madhe e Musk-ut. Ai ende nuk e di nëse do të jetë bamirësi universal që do t’i zgjidhë të gjitha problemet e botës, apo do të kënaqet si Lex Luthor duke ushqyer mllefin e vjetër të nerd-it dhe duke shpalosur pasurinë e tij në sytë e sportistëve që dikur e rrihnin në shkollë.
Në fund, këto janë dilema bashkëkohore për të cilat nuk do të gjejmë përgjigje në “Revenge of the Nerds” filmi që për herë të parë i solli nerd-ët në jetën tonë për të mos u larguar më.
Burimi: EL PAÍS
Miquel Echarri është gazetar i specializuar në kulturë, argëtim dhe trende. Filloi bashkëpunimin me EL PAÍS në vitin 2004. Ka qenë drejtor i revistave “Primera Línea:, “Cinevisión” dhe “PC Juegos y Jugadores”, si dhe koordinator i edicionit spanjoll të PORT Magazine. Është gjithashtu profesor i Historisë së filmit dhe analizës filmike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.