Gazeta Si – Pavarësisht lajmit se hakerët kanë hyrë në sistemin MEMEX të policisë, ku u publikuan edhe foto të personave me precedentë penalë, Policia e Shtetit deklaron se të dhënat nuk janë prekur apo dëmtuar.
Duke iu referuar disa të dhënave që janë të publikuara në media, policia thotë se nuk kanë të bëjnë me databazën e sistemit policor MEMEX.
“Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX”, – thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Shtetit njofton se, “deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore”.
Por nga na tjetër, “Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave dhe apelon që, në zbatim të urdhrit të prokurorit, të datës 19.09.2022, të mos publikohen nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit, të dhëna që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.