Bota

Hakerët pro-rusë sulmojnë faqet e ministrive italiane prej 2 ditësh pas fjalëve të Mattarella-s ndaj Putinit

Gazeta Si – Për të dytën ditë me radhë, një tjetër sulm hakerësh kundër faqeve qeveritare dhe ushtarake italiane të pretenduar nga grupi pro-rus “NoName057(16)”, është regjistruar këtë të martë.

Sipas mediave italiane, përmes një postimi në Telegram, ky grup e quajti veprimin duke folur për “ndëshkim për Italinë me raketa DDoS”, në fakt një shi kërkesash aksesi që i bën faqet të paarritshme.

Grupi kërkon mbështetje edhe përmes Telegramit, duke ftuar “njerëzit që mendojnë si ne, të gatshëm të luftojnë për drejtësi, të sulmojnë faqet e shumta italiane”.

Në këtë valë të re, janë prekur rreth njëzet site, ndër të tjera ato të Guardia di Finanza-s, Karabinierëve dhe ministrive të ndryshme: “Business and Made in Italy”, Ministria për Punët e Jashtme, Ministria e Ekonomisë, si dhe e Infrastrukturë, Transportit dhe Zhvillim Ekonomik.

Siç u përmend, këto janë sulme Ddos (Distributed denial of service), të cilat synojnë t’i bëjnë faqet jo funksionale duke i përmbytur ato me kërkesa për akses.

Edhe këtë herë sensorët e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike paralajmëruan në kohë objektivat e ofensivës, të cilat patën pak efekt.

Sipas vlerësimit të atyre që e ndjekin këtë çështje, këto janë veprime demonstrative dhe propagandistike, efektet e të cilave në shërbimet dhe aktivitetet e domeneve do të ishin të kufizuara.

Të hënën e 17 shkurtit, i njëjti grup hakerësh pro-rusë kishte marrë përgjegjësinë për një sulm kundër faqeve të internetit të bankave dhe kompanive të transportit, duke gjurmuar arsyet në deklaratat e Presidentit të Republikës Sergio Mattarella, i cili kishte krahasuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë me Rajhun e Tretë.

Sulmi ka synuar të godasë edhe faqe interneti të mediave të mëdha në Itali, të bankave dhe kompanitë lokale të transportit publik.

Sulmi ndodhi pikërisht në ditën kur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Moskës, Maria Zakharova reagoi për të kritikuar presidentin e Italisë, Mattarella për fjalimin e tij në Universitetin e Marsejës, duke nënvizuar se fjalët e tij “nuk do të mbeten pa pasoja”.

Dhe hakerët pro-rusë, duke marrë përgjegjësinë për aksionin, kishin akuzuar Italinë për “pompimin e regjimit terrorist neo-nazist në Kiev me armë vdekjeprurëse” ashtu si “italianët në vitin 1941 i dhanë Hitlerit forcën për agresionin e përbashkët kundër BRSS”.

Ndërkohë, autoritetet ligjzbatuese të teknologjisë dhe ionformacionit në Itali, janë në vijën e parë për të menaxhuar dhe zbutur efektet e sulmeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë