Libra

“Gurët e vetmisë”, romani më i mirë 2018

Ministria e Kulturës ka shpallur çmimet kombëtare të Letërsisë për vitin 2018.

Këtë vit, Ministria e Kulturës akordoi 5 çmime, duke rikthyer edhe çmime të munguara në fushën e letërsisë si çmimi më i mirë për veprën poetike, prozën e shkurtër, romanin, kritikën letrare, shkrimtarin për fëmijë, përkthimin nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe.

Pas një pune dhe impenjimi të gjatë, juria e përbërë nga Alda Bardhyli, Brikena Çabej, Dhurata Shehri, Visar Zhiti dhe Riza Braholli shpalli fituesit për vitin 2018.

Romani më i mirë u shpall libri me titull “Gurët e Vetmisë”, me autor Tom Kuka.

Romani "Gurët e Vetmisë"

“Gurët e vetmisë” nga autori misterioz Tom Kuka (Enkel Demi) është një roman për dashurinë, për luftën, për lirinë, për familjen, për shpirtrat e humbur e të mbetur në mesrruge. Një roman kryesisht për masakrën e Camërisë, ku ngjarjet vendosen në një vend diku mes kufijsh, aty ku kanë pasur rrënjët e të parëve, nën hijen e së shkuarës.

Tregimi më i mirë u shpall “Për shkak të vajzave nga Parisi”, me autor Roland Gjoza.  Në këtë libër me tregime ajo që bie në sy më fort është tematika e dyzuar; njeriu ballkanas në udhëtimin e tij drejt të panjohurës; emigracionit. Vendi ku përplasën fatet është Amerika.

Tregime "Për shkak të vajzave nga Parisi"

Libri poetik më i mirë u shpall “Vepra e Poetike e Plotë” nga Havzi Nela me botues Rexhep Shahu.

Në këtë vepër janë përmbledhur poezitë e poetit të lirisë, që i mbijetoi ferrit të tjetërsimit komunist, në themel të të cilit lartësohej urrejtja, mohimi dhe vëllavrasja.

Vepra e Plotë Poetike nga Havzi Nela

Vepra eseistikë më e mirë u shpall “Kur sunduesit grinden” me autor Isamil Kadare.

Në këtë libër nga shkrimtari i madh Kadare bëhet fjalë për një bashkëbisedim telefonik, i cili, ndonëse ka ndodhur gati një shekull më parë, vazhdon të zbërthehet e të interpretohet ende sot në mënyrat më kundërthënëse.

"Kur sunduesit grinden"

Letërsia për fëmijë dhe të rinj u shpall libri “Pika trëndafil”, me autore Mimoza Hafizin.

Fizikantja Mimoza Hafizi në romanin e saj fantastiko-shkencor, jep detaje për arritjet e jashtëzakonshme të njerëzimit në njohjet e universit, edhe në veçanti në njohjen e planetëve jashtë sistemit diellor, aty ku mund të ketë jetë edhe qenie të tjera të arsyeshme përpos nesh.

Romani shkencor "Pika trëndafil"

Përkthimi më i mirë u shpall vepra e Linda Maria Baros, me librin “Shtëpia me Brisqe Rroje”, me përkthim të Luan Topçiut.

Një libër me poezi nga poetja rumuno-franceze, që kur lexon të gjithë vëllimin, nuk funksionon me poezi të ndara, por funksionon si një tekst i plotë.

Ceremonia e shpërndarjes së çmimeve u zhvillua në ambientet e Hotel Plaza, ceremoni e cila ishte parashikuar që të zhvillohej në nëntor të 2019, por për shkak të tërmetit u shty, për t’u shpërndarë të mërkurën e 22 janarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë