Njerez

Radoja sfidë pushtetit: Si aktor s’ju lë në homazhet për mua!

Aktori Guljelm Radoja dhe regjisori Kastriot Çipi në oborrin e Teatrit Kombëtar

Ishte betuar dhjetë vjet të shkuar, kur mosha e caktuar nga ligjvënësit tregoi se kishte ardhur koha të dilte në pension, se nuk do të shkelte më në oborrin e Teatrit Kombëtar. 

 “Nuk erdha të nxjerr inat, por t’i jap përgjigje dikujt që tha mbrëmë në lajme –një askush  që erdhi nga jashtë dhe e pa veten si kryetar i një qyteti  - “Ku  janë figurat? Ku i keni ju figurat more?” Erdha të them:  Ja, më keni mua!” –do të thoshte   Guljelm Radoja ndërsa fliste të premten mbrëma, pikërisht nga ai oborr ku qe betuar se nuk do të vinte më këmbë...

Për protestuesit e përnatshëm, që po e ndiqnin,  të bindur për të vazhduar deri në shpëtimin nga shembja të godinës, dita e premte ndezi një dritë shprese ndërsa Presidenti i Republikës e ktheu projektligjin që i hapte rrugë shembjes dhe nisjes së punimeve për një godinë të re të Teatrit Kombëtar, sërish në Kuvend për rishqyrtim, pasi sipas këtij institucioni projektligji kishte cenuar Kushtetutën.

“Unë, qytetari  Guljelm Radoja e sfidoj atë anonimat” – vijoi aktori, ndërsa do i referohej në vargu të një poezie të Bardhyl Londos “vuaj nga dëshira për të qenë njeri”.“Do e zëvendësoja me fjalën qytetar.  Në këtë lloj zullumi që këta njerëz na provokuan të bëhemi hasëm me njëri-tjetrin , unë isha i bindur se do të fitonte qytetaria.”

Radoja, duke iu drejtuar pushtetarëve dhe atyre që u servilosen pushtetit, i quajti ata njerëz “që kurrë në jetën e tyre nuk arritën të hyjnë në këtë oborr, të shohin një shfaqje. Këta njerëz  që e panë veten me karriget e Kuvendit, këta askushër, këta anonimë që panë veten në krye të shtetit, e panë veten në krye të bashkive, këta anonimatë arritën në këtë gjendje që kishin kënaqësi të na bënin të vuanim.”

I fortë dhe i drejtpërdrejtë në fjalën e tij, Radoja ndau me të pranishmit disa ngjarje nga jeta e tij, të cilat e kanë shënjuar. “Kur isha i vogël e kishim shtëpinë te Medreseja. Aty kam bërë edhe shkollën”, kujtoi ai, ndërsa solli ndërmend edhe dyqanin e vogël të biçikletave të të atit, të cilin qeveria e asaj kohe ia pat lejuar ta çelte.

“Riparonte dhe jepte biçikleta me qira. Nxënës të Fakultetit të Mjekësisë dhe mjekë të spitalit  vinin merrnin  biçikletën  ose rregullonin”,  shtoi ndërsa do të ndalej tek mjeku Frederik Shiroka, “një nga më të mëdhenjtë e mjekësisë sonë, që rusët i thanë “kirurgu me duart e arta”.

I pat treguar Radosë , të atit, kur një natë e kishin lajmëruar të shkonte urgjent në spital për të kryer një operacion. Doktori u nis mbi biçikletë nga Kisha Ortodokse ku kishte shtëpinë, mbërriti në spital, veshi bluzën e bardhë dhe u gjend përpara një lajmi; do të operonte kryeministrin e asaj kohe nga një apendicit akut.  Përpara se të hynte në sallën operatore e ndalin dhe i kërkojnë të hidhte firmën në një procesverbal ku merrte përsipër të operonte kryeministrin. Jo – tha doktori –firmën e vë pacienti, ose të afërmit e tij. Unë operoj. Lëri fjalët, i thanë, po vër firmën. Firmën  e vë pacienti, shtoi sërish doktori, pastaj hoqi bluzën dhe iku në shtëpi.

“Duket se,  kjo specie burrash ishte specie në zhdukje, siç thotë edhe Flutura Açka për një kolegun tonë, erdhën këta, ‘burra kurva’. Këta që kanë kënaqësinë të na lënë pa gjumë.”

Pasi mbaroi Akademinë e Arteve, Radoja rrëfen se e emëruan në qytetin e Librazhdit, por më vonë e sollën në Tiranë, në Teatrin Kombëtar. “Nga këtu më hoqën sepse ishte ‘lufta  e klasave’ dhe ika, por në këtë oborr ishin ata që ishin, burra.”

Radoja evokoi emra të artistëve si Prokop Mima, Loro Kovaci e Pjetër Gjoka.  “Këta personalitete të mëdhenj u sollën me mua sikur të isha i barabartë me ta. Luajta rolin kryesor të një drame që u vu për Ushtrinë atë kohë, dhe pas 26 shfaqjesh më hoqën duke thënë: “ka pasur vjehrrin në burg” dhe më çuan në Fier.”

Largimi i tij si aktor nga Teatri Kombëtar ndodhi në vitin 1969 e  pas Fierit Radoja do të kalonte afro tridhjetë vite në Durrës. “Pastaj  thashë: ‘Do kthehem atje ku më hoqën me shqelma’ dhe erdha këtu më 1996-ën, pa nisur zullumi dhe,  çuditërisht gjeta në oborr një xhungël dhe po xhungël e lashë kur dola në pension.  Jam   73 vjeç tashmë  dhe kisha bërë bè se nuk do të vija më në këtë oborr.”

Duke iu drejtuar kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj Radoja shtoi: “ I them atij njeriu, në rast se merr guximin dhe sheh lajmet;  Ja ku më ke,  përballë!  Jam Guljelm Radoja, qytetari Guljelm Radoja, ai qytetar që me qytetarë të tjerë të Tiranës dhe mbase të rretheve që e duan këtë institucion, jo mua si aktor, këtë institucion  që deshën ta zhbëjnë që në kohën e një ish-drejtori që i fali hovin e parë dikujt, u shit tek ai dikush dhe bëri teatrin e Rubairave dhe u bë absurd.”-ndërsa fliste toni i tij u bë edhe më denoncues, ndërsa shtoi se kjo sfidë i vjen nga njeriu-qytetar, “ndërsa si aktor nuk do ia lejoj kurrë luksin atyre të vijnë të bëjnë homazhe në kufomën time, siç i  sfidoi Bujar Lako dhe komunisti-socialist Fadil Kujovska dhe Fatos Sela. Jo - thanë, nuk do të vijnë të bëjnë shoë me kufomat tona.  Do  të shkojmë atje si qytetarë.”

Aktualisht aktori Guljelm Radoja punon si pedagog i jashtëm në Univeristetin e Arteve, ndërsa rrëfen që nuk i është ndarë biçikletës me të cilën shkon në punë çdo ditë. “Kthehem me biçikletë deri te “Metropol”, pastaj me autobus deri në Durrës.”

Ndërsa solli ndërmend homazhet për të ish- të përndjekurin Lirak Bejko, i cili  dogji veten  gjatë grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë. “Pashë se ishin mbledhur popull tek Instituti i të Përndjekurve, pyeta ç’po ndodhte dhe dikush që më njohu më tha. Hyra brenda, i dhashë dorën bashkëshortes dhe vajzave dhe atij tjetrit të djegur, që ishte veshur me letër varaku dhe preka arkivolin, bëra kryq dhe dola. Më pyetën se ç’më lidhte me atë njeri, u thashë: "Më lidh të qenit njeri!" Aty,  në atë arkivol mund të isha dhe unë, por nuk jam guximtar ta djeg veten.  Por këtë lloj qytetarie që shoh në këtë oborr, ata njerëz, ata askushë do të thyhen nesër nga qytetaria jonë.” – ka përfunduar Radoja.

Gjatë protestës së ditës së premte aktorët, regjisorët dhe qytetarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë mbjellë një bredh në përkujtim të aktores Violeta Manushi në oborrin e Teatrit Kombëtar, e cila u nda nga jeta më 26 korrik të vitit 2007 në moshën  81-vjeçare, ndërsa protesta kundër shembjes së Teatrit vijon çdo mbrëmje, derisa kauza  të quhet e fituar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë