Gazeta si – Njoftimi për largimin nga Liverpuli në fund të sezonit dhe marrjen e një viti sabatik nga ana e trajnerit gjerman, ka tronditur merkaton e stolave të klubeve të mëdha europiane.
“Personalisht, do të mungojë shumë Jurgen”, – ka thënë Pep Guardiola pasi Klop bëri me dije se do të marrë një vit pushim në fund të sezonit. “Por duhet të them se të paktën do të fle më mirë, – shton Guardiola duke qeshur. – Netët para ndeshjeve me Liverpulin ishin një makth.

U shokova nga lajmi, një pjesë e Mancester Sitit humbet diçka. Nuk mund të flasim për periudhën tone, pa folur për Liverpulin si kundërshtar”. Ironi, nostalgji dhe respekt. Pep e ka përshëndetur kështu kundërshtarin e shumë betejave, që tani kërkon të marrë veten nga stresi i stolit.
Po pastaj? Vështirë të bësh parashikime për të ardhmen e Klop, pasi pas një viti situata me stolat më prestigjiozë mund të ketë ndryshuar. Nuk do të drejtojë asnjë skuadër në Premier Ligë, e ka saktësuar ai vetë. Dihet që federata gjermane e pëlqen për të drejtuar kombëtaren, por gjithçka varet nga rezultatet e Nagelsman. Ka edhe hipoteza, si Reali post-Ançeloti, apo PSG.
Më i lehtë parashikimi për atë që mund ta zëvendësojë te Liverpuli. Mund të jetë Ksabi Alonso, sipas gazetës spanjolle ‘As’, duke shpjeguar edhe dy arsye kryesore. Së pari, trajneri i Bajer Leverkusen është emri më i nxehtë i futbolit ndërkombëtar, duke parë atë që po bën në Bundesligë.

E dyta, Ksabi Alonso është një flamur i Liverpulit të epokës së artë të Rafael Benitez. E lehtë të mendohet se mund të jetë ai pasuesi i Klop. Emri i tij është lakuar edhe te Real Madrid, para se Ançeloti të vendoste të qëndronte, duke refuzuar Brazilin.
Drejtuesit e Liverpulit, rreth një vit më parë kanë bërë një sondazh edhe për De Zerbin. Megjithatë, nëse duhet ndryshuar tipologjia e lojës, duke kaluar nga ajo ‘Sturm und Drang’ dhe ‘Heavy Metal’, në një stil më pozicional, të ndërtuar nga poshtë, është më mirë që t’i besohet dikujt që më parë ka shkelur në barin e ‘Anfield Road’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




