Rend dhe Ligj

Grupi nga Kosova mbetet ‘jetim’, as të liruarit e Bashës e as të Berishës nuk i njohin

Mes personave të arrestuar për protestën e dhunshme të 8 janarit në selinë e PD dhe të liruar këtë të mërkurë nga Gjykata e Tiranës, kishte edhe disa qytetarë nga Kosova.

Ndaj tyre gjykata vendosi masën ‘detyrim paraqitje’, por nëse protestuesit e tjerë të liruar kishin përfaqësuesit e tyre ligjore, qytetarëve nga Gjakova nuk iu doli kush për “zot”. Bëhet fjalë për shtetasit: V.D., 33 vjeç; A.B., 37 vjeç; O.D., 20 vjeç; Q.D., 26 vjeç dhe S.K., 42 vjeç.

Deputetja e PD, Albana Vokshi, pjesë e Komisionit të Rithemelimit, pas vendimit të gjykatës tha se nuk ka informacione për ta.

Duke nënkuptuar praninë e tyre në seli një ditë para protestës, ajo u shpreh se në datën 7 janar është regjistruar një procedim, por nuk ka pasur asnjë reagim dhe kontroll nga policia brenda godinës së PD-së.

“Në datën 7 është regjistruar në prokurori si procedim, por nuk është ndërhyrë, duke lejuar që selia e PD të kthehej në një seli me mercenarë”. 

Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe avokatët mbrojtës të mbështetësve të Lulzim Bashës, duke mohuar se shtetasit nga Kosova ishin pjesë e grupit të tyre.

Duke këmbëngulur se Prokuroria nuk ka pasur asnjë provë, avokati Indrit Sefa tha se 11 personat e ndaluar brenda ambienteve të selisë së Partisë Demokratike, janë të gjithë funksionarë të kësaj force politike dhe ata kanë dorëzuar në gjykatë dokumentet që provojnë këtë gjë.

“Ata kontrolluan gjithë selinë dhe nuk u gjet asnjë send. Nga ana e prokurorisë janë marrë si provë fikset e zjarrit dhe ato u evidentuan dhe nga ju kur erdhët aty. Për personat nga Gjakova, duhet të pyesni vetë ata. Shikoni veprën penale për të cilën ata hetohen dhe do të kuptoni që nuk kanë lidhje me partinë Demokratike”.

Sipas tij, këta persona nuk kanë qenë kurrë brenda godinës së Partisë Demokratike. “Të gjithë ata që kanë qenë të ndaluar nga Policia e Shtetit, të cilët kanë qenë pjesë e mbledhjes, kanë paraqitur vërtetimet me funksionet përkatëse që ata kanë në parti”, – shtoi Sefa.

Por cilit krah i përkasin shtetasit nga Kosova, të cilët në deklarimet e tyre në polici kanë pohuar se ndodheshin në Tiranë për kafe dhe jo për protestën?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë