Drejtësia

Grupi i trafikut të drogës mbetet në burg, Erzen Breçani: Jam në qeli prej djalit, nuk e di ç’ka bërë!

Gazeta Si - Katër të arrestuarit në operacionin e SPAK-ut, pak ditë më parë, janë lënë në masën e sigurisë "arrest në burg" nga GJKKO.

Në mesin e tyre është edhe Erzen Breçani, ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, i cili në sallën e gjyqit mësohet të jetë shprehur se është në burg prej djalit të tij të shpallur në kërkim dhe se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore.

“Nëse jam në burg, jam prej djalit. E kam këshilluar të mos merret me gjera të paligjshme. Nuk e di ça ka bërë, nuk kam prova me ça merret im bir. Vetë i kam shërbyer këtij shteti, ku kam vënë edhe jetën në rrezik”, - mësohet të ketë thënë ish-zyrtri i lartë i policisë.

Mes të tjerash, Breçani ka përmendur disa nga aksionet që ka bërë dhe personazhet që ka arrestuar gjatë punës së tij në polici.

SPAK e akuzon Erzen Breçanin për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash, ndërsa djalin e tij, i cili është shpallur në kërkim, për trafik droge.

Në përfundim të seancës gjykata la në fuqi masat e sigurisë, arrest me burg për Breçanin, ashtu sikurse edhe për 3 të arrestuarit e tjere; shefin e Krimeve në komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni, Bujar Ajetin e Besmir Muratin.

SPAK lëshoi 11 urdhër-arreste, të cilat u ekzekutuan të hënën në kryeqytet, ku u prangosën zyrtarë të lartë të policisë.

Mes të arrestuarve është Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6, Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i Policisë së Tiranës, i cili u vu në pranga në afërsi të stadiumit “Air Albania”, Bujar Ajazi dhe Besmir Murati.

Aktualisht në kërkim janë Ervin Mata, Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova dhe Eralbi Breçani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë