Politike

Çuçi: Amnistia Penale dhe marrëveshja për emigrantët të enjten në Kuvend. Çollaku: Kushti për t’i dhënë votat PS-së

Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Bledi Çuçi mblodhi të hënën Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste mbi aktivitetin parlamentar të javës.  

Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, Çuçi tha se në seancën e ditës së enjtes do të kalojnë për votim dy marrëveshje dhe dy projektligje.

Së pari është marrëveshja në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore dhe së dyti protokolli me Italinë për emigrantët. Çuçi tha se pritet zbardhja e plotë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese këto ditë të para të javës, që i hap më pas rrugë për çuarjen në seancë. 

Dy projektligje të rëndësishme janë gjithashtu amnistia penale dhe ai për Zonat e Mbrojtura të cilat pritet të miratohen në seancën e kësaj jave.

"Projektligjin për Amnistinë Penale, Komisioni për Çështjet Ligjore parashikon për ta kaluar të martën. Do të rakordojmë dhe me opozitën për të bërë 84 votat e nevojshme për miratim", deklaroi Çuçi.

Duke qenë se Amnistia Penal; kërkon shumicë të cilësuar votash,  Çuçi kërkoi prezencë të deputetëve në seancë në mënyrë që projektligjet dhe marrëveshjet e parashikuara në rendin e ditës të miratohen.

Më vonë në një intervistë mediatike, nënkryetari i PD-së, Kreshnik Çollaku tha PD-ja do të japë votat e saj për amnistinë nëse ata pranojnë propozimin e Enkelejd Alibeajt për amnistinë e protestuesve gjatë protestave të drejtuara nga Lulzim Basha në periudhat 1 tetor 2018 deri në 31 dhjetor 2020.

“Ne kemi deklaruar dhe qëndrojmë deri në fund se ne do të kushtëzojmë votën me amnistinë të plotë të çdo protestuesi të PD në 12 vjet opozitë. Njerëzit janë penalizuar nga mazhoranca, janë vënë nën akuzë, janë nëpër gjyqe. Vota jonë do jetë e kushtëzuar në çlirimin e plotë të protestuesve të PD. Vota jonë do përdoret për të lehtësuar opozitarët. Nëse s’do çlirohen deri te demokrati i fundit vota ynë s’ka për të qenë”, tha Çollaku


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë