Politike

Grupi i Alibeajt: Rama u përpoq të korruptojë FBI për të sulmuar Bashën

Grupi parlamentar që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj ka dalë në një deklaratë për shtyp lidhur me arrestimin e zyrtarit më të lartë të FBI-së në SHBA ku në hetim janë edhe disa kontakte dhe takime të padeklaruara të tij me persona jo zyrtar dhe kryeministrin Edi Rama.  

“...Dje shqiptarët mësuan se fill pas zgjedhjeve të vitit 2017, Edi Rama me ndërmjetësimin e Agron Nezës dhe Dorian Duçkës komisionoi agjentin e FBI Charles McGonigal për të ngritur çështje kundër Partisë Demokratike dhe rivalit politik të Ramës, Lulzim Basha.

Përpjekja e Ramës që me para kesh, me dëshmi të rreme dhe kontrata të paligjshme biznesi të lidhte Partinë Demokratike me Rusinë iu kthye atij në bumerang.

Njeriu që i pagoi agjentit McGonigal 225 mijë dollar kesh, Agron Neza, është njëkohësisht pronari i kompanisë që kaloi fondet ruse për agjentin e FBI.

Pas 5 vitesh fushatë propagandistike e të kundraligjshme në Shtetet e Bashkuara, në Europë dhe në Shqipëri, qytetarët shqiptarë e mësuan se as Partia Demokratike dhe as ndonjë drejtues e përfaqësues i saj nuk kanë asnjë lidhje me akuzat e gatuara në zyrën e Ramës”, thuhet në deklaratë.

Më tej nënvizohet:

“Shqiptarët mësuan edhe lidhjen faktike ndërmjet akuzave të regjimit ndaj Partisë Demokratike dhe korrupsionit e metodave kriminale të Edi Ramës.

Shqiptarët e panë e zeza mbi të bardhe provën e lidhjeve të Edi Ramës me interesat ruse në SHBA dhe Europë.

Partia Demokratike inkurajon institucionet e drejtësisë të fillojnë pa humbur kohë hetimet për këtë afere korruptive ku ndryshe nga ç’ka ndodh rëndom në Shqipëri, vetë kryeministri këtë herë është përpjekur të korruptojë duke paguar edhe vetë FBI.

Ndëshkimi i të gjithë aktorëve të këtij operacioni është e vetmja mundësi që reputacioni i Shqipërisë dhe partneriteti strategjik SHBA – Shqipëri të mos cenohet nga kjo aferë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë