Politike

Grup pune për krizën energjitike, Ahmetaj nuk mohon rritjen e çmimeve

Qytetarët do të mësojnë brenda pak ditësh nëse çmimi i energjisë elektrike për ta do të rritet dhe nëse po se sa do të rritet ky çmim.

Zv.Kryeministri Arben Ahmetaj njoftoi se Qeveria ka ngritur një grup pune ndërinstitucional që po ndjek nga afër situatën e shkaktuar nga rritja e çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtar.

Ahmetaj tha se Qeveria do të mbrojë qytetarët dhe bizneset e vogla nga kjo krizë, por kur u pyet nëse kjo mbrojtje nënkuptonte mosrritjen e çmimit të energjisë refuzoi të japë një përgjigje të qartë mohuese, apo pohuese.

“Kryeministri ka ngritur një grup ndërinstitucuional për të menaxhuar dhe monitoruar çdo moment ecurinë e situatës energjetike. Vala e çmimeve ndërkombëtare sigurisht që prek edhe brigjet e Shqipërisë.

Në vend të kësaj, Ahmetaj premtoi një paketë që do të mbrojë qytetarët dhe biznesin e vogël, pa dhënë më shumë detaje.

"Ne jemi të gatshëm të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Shumë shpejt brenda javës Kryeministri do të shpalosë vetë platformën për mbrojtjen e konsumatorit familjes dhe sipërmarrjen e vogël", tha zv.Kryeministri.

Ahmetaj tha se rritja e çmimeve është pasojë e krizës, që e cilësoi globale, ku në bursa energjia ka shkuar mbi 200 euro për MWh.

Situata e pazakontë detyroi OSHEE që të shpenzojë plot 13 milionë euro për blerje energjie vetëm për javën e parë të muajit tetor, një shifër rekord, që sugjeron se për të siguruar energjinë për të gjithë këtë vit, kompanisë do t’i nevojiten të paktën 100 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë