Njerez

Gruaja që përjetëson kafshët në balsamosje

Ishte viti 2013 kur Allis Markham ishte duke punuar si drejtoreshë e menaxhimit të rrjeteve sociale në zonën e Los Anxhelosit, kur vendosi të shkonte në Montana për të mësuar artin e balsamosjes. Në atë kohë ajo ishte e interesuar të bashkonte jetën e egër me artin.
Fillimisht ajo punoi si vullnetare në “Muzeun e Historisë Natyrore” në Los Anxhelos dhe studioi pranë Tim Bovard, drejtuesi i artit të balsamosjes në muze.
“Punova për shumë kohë vullnetare dhe ndjehesha në siklet që të kërkoja një pagesë. Megjithëse shpesh herë mendoj se duhet të isha unë ajo që duhet të paguaja për përvojën që mora atje,” shprehet ajo.
Sot punën e saj mund ta gjejmë në të gjitha muzetë dhe qendrat e natyrës, në të gjithë Los Anxhelosin. Ajo bashkëpunoi edhe me artistë tjerë për t’u rritur, më shumë në detyrë dhe tashmë ajo shet 3900 dollarë çdo vepër të saj.
Ajo është një grua me fytyrë të imët, e cila vesh fustane me dantellë e stil venecian dhe shpesh nuk duket si një praktikuese tradicionale e balsamosjes, një profesion që prej kohësh është mbizotëruar nga meshkujt. Në zyrën e saj në një cep janë kafshët që do të balsamosen, e ndërkohë në një cep tjetër është tavolina e punës, ku ajo kryen veprat e saj të artit. Përgjithësisht Markham është një “gjuetare shpendësh”, sepse i pëlqen më së shumti të balsamosë shpendët. Ajo gjithmonë kujdeset për çdo detaj, që prej kthetrave e deri tek sqepi. Projekti aktual i Markham është një pallua që, duhet të balsamoset me flatrat e hapura. Ajo thotë se klienti i saj është shumë i emocionuar dhe ajo duhet të mbarojë në një kohë shumë të shkurtër punën e saj.

Puna e Markham nis fillimisht me pjesën e drurit ku duhet të fiksohet kafsha e balsamosur, më pas vazhdon me mbushjen e kafshëve, për të pasur qëndrueshmërinë që i tregon kafshët shumë madhështore dhe më pas përdoret solucioni që i jep jetëgjatësi veprës së Markham.
“Gjithçka duhet të ruhet si duhet. Që nga pajisjet deri tek lëkura e kafshëve,” shprehet ajo.
Shumica e mostrave me të cilat ajo punon, vdesin për shkaqe natyrore dhe është shumë e rëndësishme për Markham që njerëzit të dinë se klientët e saj nuk po i vrasin kafshët për të krijuar art. Ajo çdo ditë merr telefonata nga persona të specifikuar që merren me përkujdesjen e kafshëve, të cilat e lajmërojnë nëse ndonjë kafshë ka vdekur natyralisht. Telefonuesi janë nga kopshti zoologjik, mbarshtruesit dhe fermerët. Në përgjithësi kur ajo merr një kafshë i pastron vetë dhe përkujdeset vetë për të gjithë procesin. Tashmë ajo jep edhe mësime për balsamosjen dhe iu shpjegon nxënësve të saj çdo gjë me detaje.
“Imagjinoni të qëroni një portokall, tek i cili duhet të bëni sa më pak prerje, në mënyrë që të mbetet i shijshëm, njëjtë është edhe puna me kafshët,” shprehet ajo.

Ajo shton se është një ndër të paktat femra që merret me balsamosjen dhe nuk do që ky profesion të shkojë dëm, kështu që ajo tenton gjithnjë e më shumë që këtë zanat ta kalojë tek brezat e rinj, duke treguar taktikat e saj të punës, të cilat nëse kryhen siç duhen, veprat do të zgjasin përgjithmonë./The Washington Post/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë