Drejtësia

Gruaja e vetme në garë për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu: Sfidat e mia i çoj deri në fund

Gazeta Si – Doloreza Musabelliu prezantoi platformën e saj dhe vizionin për institucionin në garën për kreun e ri të SPAK.

Si i vetmja grua mes kandidatëve, Musabelliu theksoi se motivimi i saj për të kandiduar buron nga “dëshira dhe ndjenja e përgjegjësisë”, duke theksuar se përvoja e saj mbi dy dekada në drejtësi përbën garanci për një drejtim të suksesshëm të SPAK-ut. “Synoj të ofroj një drejtim të pavarur, të vendosur dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete,” shtoi ajo.

Gjatë prezantimit, Musabelliu foli për karrierën e saj, duke përfshirë përvojën si prokurore për krimet e rënda dhe punën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos ndaj zyrtarëve të lartë.

“Kam përfunduar studimet në vitin 2002 me rezultate të shkëlqyera dhe kam fituar konkursin menjëherë për nisjen e studimeve të magjistraturës në statusin prokurore. Në 2005 jam emëruar përfundimisht si prokurore për krimet e rënda dhe deri në dhjetor të 2019, kur prokuroria u strukturuar dhe më pas u bë pjesë e SPAK. Kam qenë pjesë e këtyre dy strukturave të rëndësishme. Veprimtaria ime ka qenë e fokusuar në këto dy institucione, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos ndaj zyrtarëve të lartë, me krimet e rënda, grupet e strukturuara dhe bandat kriminale. Puna ime ka qenë thelbësore përmes hetimit të çështjeve.”, tha Musabelliu.

Ajo theksoi se sfidat e përballuara gjatë karrierës e kanë pajisur me aftësi për të menaxhuar situata komplekse dhe për të udhëhequr SPAK me efikasitet: “Sfidat e përballuara ndër vite më kanë pajisur me efikasitet në situata komplekse. Pavarësisht kompleksitetit, kam vijuar me këmbëngulje detyrat e mia dhe i kam çuar deri në fund pa u ndalur. Përvoja ime si prokurore më vendos në pozita optimale për të marrë drejtimin e SPAK”.

Ajo është një prej prokuroreve, e cila është marrë në mbrojtje për shkak të dyshimeve se grupi i Laert Haxhiut do të kryente atentat ndaj saj.

Megjithatë, sa i përket këtij kërcënimi theksoi se në fillim ishte tronditje për të, por problem ishte mënyra si e përballoi familja më vonë.

“Qe një tronditje për mua, por në atë rast kisha zbatuar rigorizisht ligjin, më tepër problematikat kaluan te familjarët e mi. U mësova me atë situatë, ndërsa familjarët e patën problem atë situatë”, tha ajo.

Musabelliu vuri theksin tek ndërtimi i një marrëdhënieje transparente me mediat, duke respektuar sekretin hetimor dhe integritetin e institucioneve.

Kandidatja për kreun e SPAK, është pyetur mbi krahasimin mes drejtuesve të mëparshëm, Altin Dumanit dhe Arben Krajës.

Por ajo tha se një krahasim i tillë është i vështirë dhe mund të jetë i padrejtë, pasi të dy kanë punuar në kushte të ndryshme.

“Në këndvështrimin tim, të bësh një krahasim mes dy drejtuesve që kanë qenë në periudha të ndryshme është e vështirë ta bësh, sepse iu heq ose shton merita kot. Kur u zgjodh zoti Kraja ishim në fillim, ndryshuam godinën, nuk kishim hetuesit, pastaj ishte periudha e Covidit. Të bësh krahasime duhet të jenë kushtet e njëjta. Unë e vlerësoj edhe z. Kraja dhe Dumanin, por nuk kanë punuar në kushte të njëjta dhe nuk bëj dot krahasime, sepse do të ishte padrejtësi dhe unë padrejtësitë nuk i toleroj në veprimtarinë time,” u shpreh Musabelliu.

Fryma në ekip, ishte pika kyçe në punën që synon të kryejë si drejtuese e SPAK-ut. “Nëse më besohet detyra, do të siguroj një drejtim efektiv, motivues dhe transparent për çdo anëtar. Vlerësimi i drejtë i performancës, mbështetja dhe garantimi i pavarësisë në vendimmarrje do të jenë elemente kryesore. Jam e vetëdijshme për rëndësinë që ka drejtimi i SPAK, por mbetet thelbësore fryma e ekipit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë