Gazeta Si - Familjarët e Ardian Nikulajt, biznesmenit që u ekzekutua brenda ambienteve të hotelit të tij në Shëngjin të Lezhës në muajin prill të vitit të kaluar, kanë rrëfyer momentet e tmerrshme të vrasjes brutale të të dashurit të tyre.
Vera dhe Luis Nikulaj, kanë folur për tabloidin britanik prestigjioz “Daily Mail”, ku kanë treguar se si britanikët e përfshirë në vrasjen e bashkëshortit, i pritën si turistë në hotel dhe i qerasën.
Nikulaj dyshohet se ishte “shënjestër e skuadrës britanike që u punësuan për të zgjidhur gjakmarrjen prej dekadash” - ndërsa banda përballet me ekstradimin për të dalë në gjyq.
Kurthi i gjakmarrjes nga "turistët"
Ajo ka thënë se "për shkak të gjakmarrjes ishin të kujdesshëm dhe ruheshin ndaj kërcënimeve", por nuk dyshuan "asnjëherë se anglezët do të përfshiheshin në këtë atentat".
Vera tregon se në restorantin e hotelit të familjes Nikulaj pa fillimisht Harriet Bridgeman, nënë e një djali të vogël.
“Ajo vazhdimisht bënte kontakt me sy me Ardianin. I thashë, unë flas anglisht, si mund të të ndihmoj. Ajo kërkoi të merrte me qira një makinë dhe Ardiani ia rregulloi këtë punë”.
Të nesërmen, familja Nikulaj drekoi në restorant dhe tavolina e tyre ishte ngjitur me atë të Bridgeman, ku i pranishëm ishte dhe një nga të akuzuarit e tjerë britanikë.
Atje ata pranuan ushqim falas nga viktima e tyre që nuk dyshonte, biseduan me gruan e tij dhe luajtën pishinë me djalin e tij 13-vjeçar, ndërsa dyshohet se monitoronin lëvizjet e tij përpara se njëri të jepte sinjalin për të goditur, pretendon familja e pikëlluar e viktimës.
“Ajo donte të paguante me kartë krediti, por nuk po funksiononte. Ardiani i tha kamarierit që mos u shqetëso se do t’i paguaj unë. Ata erdhën tek ne, falënderuan Ardianin që u pagoi drekën”, vijon rrëfimin Vera.
Rrëfimi i djalit
Djali i çiftit Nikulaj kishte qëndruar së bashku edhe me djalin e Harriet Bridgeman, e cila u përfshi në vrasje ku kishte rol vëzhgimi.
Për Daily Mail, ka folur edhe djali Ardianit, Luisi, tani 14 vjeç, duke treguar se si ai pa Harry Simpson, në tavolinën e pishinës që ishte përballë restorantit ku babai i tij u vra. Djali tregon edhe një moment kur ka biseduar me britanikun Simpson.
'Të nesërmen po haja me të në të njëjtën tryezë. Unë isha duke ngrënë fasule dhe Simpson tha: 'më lejo ta provoj këtë ushqim tradicional shqiptar'.
Ai mori lugën e tij dhe filloi të hante fasulet nga pjata ime. “I thashë nënës sime se burri duket pak i çuditshëm.”
14-vjeçari tregon edhe çfarë i ka thënë babai: “Mos u shqetëso bir, ai është vetëm një turist, nuk duhet të shqetësohesh për të”.
Ndërsa ekzekutori, portugezi Ruben Saraiva, ishte parë nga disa fëmijë vendas duke përgjuar pranë vendit të krimit disa ditë më parë.
Fëmijët thanë se kishin parë një burrë të çuditshëm, u shprehën për “Daily Mail” të afërmit e Nikulajt.
Pamjet e tmerrshme të transmetuara në media kapën vrasjen brutale prillin e kaluar dhe vizitat e shumta të mëparshme në hotel nga britanikët, ku dyshohet se u panë duke filmuar brendësinë e restorantit të hotelit.
Drejt ekstradimit
Sot, një gjykatë në Britaninë e Madhe i ka hapur dritën jeshile ekstradimit të 4 prej 5 të arrestuarve për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në prill të vitit 2023 në Shëngjin.
Kështu, u vendos ekstradimi në Shqipëri për Edmond Haxhinë që akuzohet si organizator dhe financues, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman. Vendim nuk u mor për Steven Hunt i cili është diagnostikuar me sëmundje të rëndë.
"Harriet Bridgeman, 28 vjeç dhe Thomas Mithan, 35, të dy nga Bristol dhe Harry Simpson, 33, nga Londra e Jugut, mësuan se beteja e tyre gjyqësore për të bllokuar ekstradimin për t'u përballur me gjyqin në Shqipëri kishte dështuar kur u paraqitën në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit", - shkruan "Daily Mail".
Shqi[taro-britaniku Edmond Haxhia, nga Birmingham, akuzohet se organizoi bandën për të shënjestruar Nikulajn si pjesë e 'gjakmarrjes' mes familjeve të tyre, e cila ka zgjatur gati tre dekada dhe tashmë ka çuar në shtatë vrasje.
Nikulaj besohet të jetë vënë në shënjestër, sepse ai akuzohet se ka vrarë me armë zjarri një anëtar të familjes rivale në vitin 1997 - që vetë thuhet se ishte si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij të madh pas një grindjeje për një pagesë prej 5 £ benzine që filloi grindjen. Familja Nikulaj mohon se ai ishte vrasës.
Ndërkohë, portugezi Ruben Saraiva që dyshohet si ekzekutori i Nikulajat, u ekstradua në Shqipëri me 31-dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.