Nga Gazeta Si- Fotografi, video, fjalime të kuruara dhe 5.8 milionë euro për të rikonstruktuar Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave ka harxhuar Ministria e Arsimit, por asgjë nuk i ka bindur maturantët të ndjekin rrugën drejt një tregu pune të sigurt.
“Kemi realizuar 100% nevojat e fakultetit, me klasa, laboratorë dhe çdo element të nevojshëm për mësimdhënien”, thuhet në një deklaratë gjatë një takimi të Ministres së Arsimit Mirela Kumbaro , por ministrja ka harruar një detaj: kush do i shfrytëzojë klasat dhe laboratorët nëse nuk ka studentë?
Ish-ministrja Ogerta Manastirliu e para dhe ministrja aktuale Mirela Kumbaro më pas, e kanë ‘bërtitur’ herë pas here në media se si po rregullojnë fakultetin me kushtet më bashkëkohore por në asnjë moment nuk është thënë se programet në këtë fakultet zgjidhen në shifra qesharake, krahasuar me nevojën e tregut të punës.
Gjithsej, në Bachelor, janë të regjistruar 341 studentët por prej tyre, vetëm 129 janë të rregullt, që ulen në auditor, dhe më shumë se gjysma tjetër janë përsëritës nga studentët që kanë braktisur studimet prej vitesh dhe rikthehen për t’i përfunduar. Këto studentë aktivizohen herë pas herë dhe asnjëherë nuk është e sigurt nëse do i përfundojnë studimet.
Në fakultet janë rreth 50 pedagogë dhe në një llogari të thjeshtë, i bie që në fakultet të ketë 1 pedagog për 2.6 studentë të rregullt.
Ndërkohë, bashkuar me masterin profesional dhe shkencor, gjithsej janë 603 studentë, por vetëm 312 janë studentë të rregullt.
Asgjë kundër rikonstrukturimit të dy godinave që janë në rrezik shembje që pas goditjes që morën për shkak të tërmetit të 2019, por historia ka treguar që siç ka nevojë të ruhen godinat, ka nevojë urgjente edhe që të ndërhyhet për të drejtuar studentët drejt një fakulteti ku rrezikohen të mbyllen degë sepse nuk përmbushin numrin e studentëve.
E vetmja politikë që Ministria e Arsimit ka marrë është duke futur 5 programet në degë prioritare, duke dhënë 40 mijë lekë në muaj për çdo student por shifrat kanë treguar se kjo nuk ka funksionuar.
“Numri i studentëve është vit pas viti në rënie. Politika nuk funksionoj”, thotë një burim për Gazetasi.al, i cili shton se nuk ka student të këtij fakulteti që të mbarojë studimet aty dhe të mos gjejë punë në profesion menjëherë sepse tregu i punës është i tillë.
“Inxhinieria e minierës, janë 600 subjekte që merren me aktivitet minerar që kanë nevojë për të paktën 600 inxhinierë. Ne nuk nxjerrim me bollëk, nuk i përgjigjemi tregut”.
Ndoshta nga këtu duhet ta kishte nisur rikonstrukturimin e fakultetit Ministria e Arsimit, duke bindur maturantët se të jesh inxhinier është fitimprurëse, duke bërë politika që të mos rrezikohen të mbyllen programe e ato sallat bashkëkohore të mos mbesin bosh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje