Në orët e mbrëmjes së të dielës, banorët e lagjes “10 Korriku” në qytetin e Vlorës sinjalizuan policinë për një pako të rënë në mes të rrugës. Banorët dyshonin se pakoja në fjalë ishte një mekanizëm shpërthyes i komanduar në distancë.
Policia thotë se me të marrë denoncimin ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku si hap i parë është vendosur një perimetër i zgjeruar sigurie, përfshirë bllokimin e 500 metrave rrugë.
Menjëherë janë njoftuar forcat xheniere, të cilat pak para mesnatës kanë kryer shpërthimin e kontrolluar të lëndës plasëse, duke u dhënë të drejtë dyshimeve fillestare të banorëve të kësaj lagjeje, por edhe të vetë policisë më vonë.
Policia dyshon se lënda plasëse e llojit tritol, e modifikuar përmes një mekanizmi të kontrollit të shpërthimit në distancë përmes celularit, ka qenë e vendosur në një automjet. Mendohet se mjeti po dilte nga një rrugë dytësore e amortizuar e lagjes në drejtim të aksit kryesor të asfaltuar. Pikërisht në këtë moment dyshohet se ka rënë tritoli i vendosur nën të.
Burime nga Policia e Vlorës pohojnë se janë sekuestruar pamjet e disa kamerave në një zonë të zgjeruar për të identifikuar personin ndaj të cilit dyshohet se do të kryhej atentati.
Ironikisht, personit ndaj të cilit dyshohet se ka qenë në shënjestër të tritolit ja ka shpëtuar jetën rruga me gropa. Nga lëkundjet e shkaktuara nga ecja e mjetit në këtë pjesë, policia mendon se ka rënë bomba e vendosur nën të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




