Treg

Gripi i shpendëve rriti çmimin e pulave

Shqipëria u prek nga gripi i shpendëve më 8 qershor gjë që ka nxitur një valë të re çmimesh ndër aktorët e tregut të cilët rrisin dhe shesin pula, pak më ndryshe nga ajo e mëparshmja.

Në një vëzhgim të Gazetës “Si” nëpër Tiranë dhe në disa ferma jashtë saj, vihet re që shumë fermerë të cilët i rrisin pulat në oborret e tyre, kanë rritur çmimet duke i tregtuar ato më shtrenjtë se para disa muajsh.

Halit Bana, një nga këto fermerë, tha për Gazetën “Si” se sapo mori vesh për gripin e shpendëve u fokusua të bënte më shumë kujdes për pulat e tij.

“Pulat që rris unë nuk rrinë gjithë ditën në stol si ato që rrinë nëpër pulari të mëdha dhe pastaj sëmuren. Unë i lë në oborr gjithë kohës dhe i ushqej me misër të mirë. Në një situatë të tillë kur shumë pula po sëmuren nga gripi, sigurisht që do i shes më shtrenjtë pulat e mia.

Arsyeja kryesore për këtë është fakti se së pari ata janë tërësisht të shëndetshme dhe të freskëta. Të rritura me ushqim të mirë dhe bio. Këto pula nuk të sëmurin, madje të shërojnë, aq të mira janë", thotë ai jo pa krenari për Gazetën “Si”.

Në fakt, të njëjtën gjë duket se pohojnë dhe qytetarë të tjerë që po ashtu si Haliti i mbajnë pulat brenda perimetrit të oborreve të tyre.

Një ndër ta është dhe Arjani i cili prej vitesh ka mbajtur pula sepse përveç se nxjerr me ta bukën e gojës, e ka dhe me pasion këtë gjë.

“Kam vite e vite që rris pula dhe asnjëherë nuk u ka rënë gripi i shpendëve.

Tani që gripi po përhapet në vatra të tjera, duhet më shumë kujdes dhe unë e bëj këtë. I ushqej akoma më shumë dhe jo vetëm me misër si dhe gjithashtu edhe i kam karantinuar.

Ky grip ka ekzistuar gjithnjë dhe ne fermerët e vjetër e dimë se çfarë duhet bërë. Njerëzit konsumojnë ato që vijnë nga jashtë që nuk dihet se si janë, dhe refuzojnë të konsumojnë këta të fshatit.

E si ta shes më lirë kur së pari prodhimtaria në vatra të tjera po ulet por dhe po sëmuren? Gjërat e freskëta të fshatit kushtojnë, sidomos në kohë sëmundjesh.-citoi ai për gazetën “SI” duke iu referuar jo vetëm gripit të shpendëve, por edhe pandemisë.

Pranë tregut Elektrik në Tiranë, aty ngjitur me stendat e frutave dhe perimeve, ishte një qytetar që po blinte dy pula nga një fshatar. Ajet Kurti quhej dhe tregoi për Gazetën “Si” se mjaftonte që pulat të ishin të shëndetshme por nuk kishte rëndësi çmimi.

“Së shpejti më vjen nipi i vogël nga Italia dhe ne e kemi me merak ushqimin. Dua që kur të jetë këtu të ushqehet mirë, me gjëra bio dhe të freskëta.

Mishi pulës është shumë i shëndetshëm prandaj dhe unë jam munduar të gjej njerëz që i rrisin ato me kujdes.

Nuk më intereson fare çmimi, nëse janë më shtrenjtë apo më pak, më mjafton veç  që të jenë të shëndetshme dhe të pa prekura nga gripi.-tha ai dhe u drejtua nga shitësi për t’i marrë mbrapsht kusurin e parave, teksa ky i fundit akoma insistonte duke i thënë : “Ta hani pa merak. I rris vetë në shtëpinë time në zonën e Babrrusë dhe janë të freskëta.”

Këta fermerë treguan për gazetën “SI” se nëse dikur pulat e fshatit i shisnin me 15 mijë lekë të vjetra, tani i shesin edhe 25 e ndonjëherë në varësi të peshës së saj, edhe pak më shtrenjtë.

Për ta më e rëndësishme ishte që pulat të ishin të mirëushqyera dhe të mos ishin të dobëta.

Në fakt, nga ana tjetër, përveç qytetarëve që kanë rritur çmimet sepse pulat e tyre nuk janë prekur nga gripi dhe po trajtohen mirë, gripi i shpendëve ka sjellë një dëm shumë të madh financiar për të gjithë fermat që sot janë kthyer në vatra e për fermerët që janë dashur të asgjësojnë shpendët e tyre.

Vatra më e fundit ishte ajo në Peqin, në Elbasan ku u asgjësuan 180 shpendë të cilët më pas groposen, dezinfektohen me gëlqere dhe mbulohen me një rrjetë në mënyrë që të mos i marrin shpendët shtegtarë.

Gripi i shpendëve i njohur edhe si H5N8 tashmë është i përhapur në 10 vatra në Shqipëri, 9 prej të cilave janë në Shqipërinë e Mesme dhe një në Tropojë.

Ministrja e Bujqësisë,Milva Ekonomi ka deklaruar disa ditë më parë se humbjet e shpendëve që kemi patur deri tani janë ende të papërfillshme në krahasim me numrin total të tyre, ku nga 5 milionë krerë shpendë, vetëm 2500 prej tyre janë asgjësuar si pasojë e gripit.

E ndër fermerë që kanë rritur  çmimin nga fakti se pulat e tyre janë të shëndetshme dhe bio, ka dhe fermerë të tjerë të cilët i tregtojnë ende me të njëjtin çmim dhe i druhen gripit të shpendëve.

“Nëse do të më ndodhte të më asgjësoheshin shpendët si pasojë e gripit, humbja në dëm ekonomik do të ishte e madhe pasi i kam rritur gjithë këto kohë,i kam ushqyer, vaksinuar dhe sigurisht që secila prej tyre ka një kosto të caktuar.

Aq më tepër pulat në pularinë time që janë rreth 100 e ca. Nuk e kam ndryshuar  çmimin por i kam karantinuar dhe i druhem gripit sepse thonë që fermat e vogla janë më të rrezikuara.

Për sa kohë nuk kam parë ende asnjë simptomë i kam tregtuar po njëlloj por nëse do vërej shenjën më të vogël, nuk do i tregtoj absolutisht dhe do telefonoj menjëherë veterinerin.

Ne fermerët me këto mbahemi, nëse do më sëmuren do më shkaktonin shumë dëm.”-tha për gazetën “SI” Veli Gjoni, një fermer në Fushëkrujë i cili ka pularinë e tij të vogël dhe prej disa vitesh merret më këtë aktivitet.

Disa ditë më parë, Ervin Resuli, ekspert për bujqësinë dhe veterinarinë, u shpreh për gazetën “SI” se biosiguria apo karantimi i shpendëve është hapi i domosdoshëm që duhet tani si dhe duhet shtuar kujdesi nga vetë qytetarët që do i konsumojnë duke i trajtuar ato termitikisht në mbi 70 gradë celsius sepse vetëm kështu gripi mund të shkatërrohet.

Ervin Resuli, ekspert dhe specialist terreni për bujqësinë dhe veterinarinë

Në supermarketet ku pulat tregtohen nga fermat, çmimi i tyre ende nuk ka ndryshuar dhe shiten njëlloj varësisht peshës, ndryshe nga fermerët që në një situatë të tillë, kanë shtuar kujdesin ndaj pulave të shëndetshme në mënyrë që në fund të ditës,  të fitojnë disa para më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë