Me shumë vonesë, pas vendimit të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, mijëra pula të ngordhura nga gripi i shpendëve janë groposur gjatë natës në qytetin e Shijakut, larg zonave të banuara.
Të dielën e 20 marsit, Ministria e Bujqësisë njoftoi se ishte konfirmuar rasti i parë me gripin e shpendëve në vend, Influenca Aviare i tipit H5N8, edhe pse ditë më parë u lajmërua se shpendët e ngordhur masivisht kishin laringotrakeit infektiv.
Më pas ministria vendosi karantinimin dhe kufizimin e zonës së lëvizjes së shpendëve dhe asgjësimin e pulave të ngordhura. Po ashtu nuk përcaktoi as nëse do të ribëhej ri analizimi i mostrave që fillimisht dolën me laringotrakeit. Po ashtu Ministria dhe asnjë institucion tjetër nuk dhanë detaje për asgjësimin e pulave të ngordhura. Cili autoritet e ka përgjegjësinë, sa pula do të asgjësohen, ku do të groposen? A përfshihen edhe ato që janë të prekura?
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Durrës, para pak ditësh njoftoi se janë groposur 175.300 pula të ngordhura, duke nënkuptuar se ndoshta ky është autoriteti që do të merrej me groposjen e tyre.
ISUV deklaroi se është e ndaluar shitja e shpendëve të gjallë në tregjet e hapura dhe kjo do të bëhej vetëm në maketet e kontrolluara.
“Ligji jonë parashikon edhe groposjen. Edhe metodën e djegies. Secili duhet të shprehet në bazë të legjislacionit për të gjetur vendin e duhur. Masat janë marrë në 19 Mars 2022. Kjo do të thotë që vezët që gjenden në treg janë të prodhuara në datat e mëparshme. Vezët mund të qëndrojnë në treg për 21 ditë dhe në rast se nuk shiten kthehen mbrapsht dhe asgjësohen”, shtoi ISUV.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.