Lajme

Grida Duma sulmon qeverinë: Shqiptarët, të rrënuar ekonomikisht

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma, në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së është shprehur se gjendja ekonomike e shqiptarëve është përkeqësuar shumë. Duke iu referuar të dhënave të Eurobarometrit 2018, Duma thotë se në Shqipëri janë 1 milion e 750 mijë shtetas në gjendje shumë të keqe ekonomike.

“Eurobarometri, matësi i Bashkimit Europian për ecurinë e vendeve europiane dhe Ballkanit Perëndimor po konfirmon vit pas viti përkeqësimin e treguesve të zhvillimit për Shqipërinë. Tre problemet më të mëdha të shqiptarëve rezultojnë se janë ekonomia, papunësia dhe korrupsioni. Eurobarometri 2018 për Shqipërinë na fakton se 1.750.000 shqiptarë deklarojnë se gjendja e tyre ekonomike është plotësisht e keqe. Vetëm në një vit, brenda 2107-2108 janë shtuar 245 mijë shqiptarë më shumë, të cilët deklarojnë se gjendja e tyre ekonomike është përkeqësuar dhe është shumë e keqe, po ashtu eurobarometri 2018 na tregon se për 67 % të shqiptarëve, problemi parësor është papunësia, dhe gjendja e tyre e rrënuar vjen si pasojë e pagjetjes punë. Këto nuk janë vetëm shifra, këto janë jetë njerëzish që rrënohen, që shkatërrohen për shkak të kësaj krize të keqqeverisjes, jo me dhjetëra, jo me qindra, por me qindra mijëra”, u shpreh Duma.

Më tej, ajo deklaron se qytetarët shqiptarë ndjehen të përjashtuar nga shoqëria për shkak të mungesës së punës.

“Një tjetër raport i rëndësishëm që është Barometri Ballkanik shpjegon jo vetëm në shifra përkeqësimin e gjendjes për Shqipërinë, por se si shifrat pasqyrojnë në fakt mjerimin, jetesën e keqe, varfërimin mendor dhe social për shqiptarët. 51% e shqiptarëve deklarojnë se ndjehen të përjashtuar nga shoqëria se janë të papunë, 48% e shqiptarëve deklarojnë se megjithëse ka korrupsion në të gjithë sektorët e Shqipërisë, përsëri në shëndetësi, në spitale dhe në ilaçe, ai është më i papranueshmi. 85 % e shqiptarëve deklarojnë se brenda një viti janë përshpejtuar rritja e madhe e pasurisë midis të pasurve dhe të varfërve dhe pasuria e vendit ka kaluar vetëm në pak duar. Është e qartë se me këtë model qeverisjeje favorizohen oligarkët dhe personat afër qeverisë, ku i afti është më i pamundur, ku i varfri bëhet më i varfër. Të vërteta që tashmë i dinë të gjithë shqiptarët që jetojnë për Shqipërinë e tyre,  por po i fakton dhe Bashkimi Europian”, vazhdoi më tej Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun.

Në fund ajo shprehet se për shqiptarët nuk ka shpresë dhe kjo qeveri duhet larguar, pasi ajo është përgjegjëse për situatën ekonomike në vend.

“Por ashtu siç shifrat rezultojnë, shqiptarët fatmirësisht vijojnë të besojnë te Bashkimi Europian dhe mendojnë që hyrja në Bashkimin Europian është zgjidhje. Madje besimi se Bashkimi Europian është shpëtimi për Shqipërinë është rritur brenda një viti me 2% dhe rezulton se 90% e shqiptarëve besimi do të vijë nga hyrja në Bashkimin Europian. Por, për shqiptarët me këtë qeverisje nuk ka shpresë, nuk ka asnjë shpresë nëse vijon rilindja e dështimeve. Është jetike të ndalojmë qeverisjen kundër njerëzve dhe kundër mirëqenies, është jetike një tjetër qeverisje, përndryshe do të rrezikojmë një skenar edhe më të keq, atë skenar të cilin e parashikon BERZH. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë që nëse vijojmë me këto shifra në rënie mund të realizohet një skenar i trishtë për historinë e shqiptarëve, ku shqiptarët arrijnë të mesmen europiane në vitin 2220. Është jetike të ndalojmë qeverisjen kundër shqiptarëve, kundër mirëqenies që e shtyn të ardhmen me qindra vite”, përfundoi Duma.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë