Ndërkohë që po përgatitet që në datë 14 maj të hapë sezonin turistik, Greqia ka futur në fuqi “armën” e re në luftën kundër pandemisë, vetëtestimin. Miliona teste të shpejta, të lehta në përdorim, do të jenë të disponueshme falas për qytetarët në farmaci, duke u dhënë mundësi të gjithë të dinë nëse janë apo jo me Covid.
Qeveia thotë se vetëtestimi do të jenë një nga mjetet kryesore të përdorura në përpjekjet në vazhdim për heqjen e masave izoluese. Më konkretisht, testi do të jetë i detyrueshëm për punonjësit e dyqaneve, supermarketeve, zyrave të biznesit, hotelieri, turizëm dhe gjykata, si dhe për mësuesit dhe studentët.
Shpërndarja falas e këtyre testeve do të fillojë nga farmacitë në fillim të prillit dhe do të zgjasë për një periudhë prej dy muajsh.
Prioriteti pritet t’u jepet njerëzve deri nën 67 vjeç, të cilët cilësohen si më aktivët e shoqërisë.
Zëvendës Ministri i Shëndetësisë Vassilis Kontozamanis tha se përdorimi i testit vetë-diagnostikues nuk do të jetë i detyrueshëm për të gjitha bizneset, por theksoi se rezultatet pozitive duhet të deklarohen në një platformë të ngritur së fundmi nga qeveria.
Ai vuri në dukje se testet vetë-diagnostikuese janë tashmë në dispozicion në Bashkimin Europian dhe plotësojnë të njëjtat specifikime të rrepta si testet e shpejta. Ai shtoi se testet vetë-diagnostikuese janë kryesisht teste që merren në hundë, të cilat janë shumë më të lehta për t’u përdorur, me udhëzime të thjeshta dhe të krijuara posaçërisht në mënyrë që të gjithë t’i përdorin ato në mënyrë efektive.
Futja e testeve të shpejta vjen ndërkohë që presioni vijon të jetë i lartë. Të premten Greqia arriti numrin më të lartë të pacientëve të intubuar në njësitë e kujdesit intensiv me 707 të shtruar.
Mosha e tyre mesatare ishte 68 dhe pjesa më e madhe kishin një sëmundje shoqëruese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


