Ndërkohë që numri i të prekurve me koronavirus ka ardhur duke u rritur, Greqia njoftoi sot masa lehtësuese financiare për kompanitë në zonat e prekura nga epidemia, në përpjekje për zbutur efektet ekonomike të saj.
Masat e Athinë zyrtare përfshijnë shtyrjen e pagesave të taksës mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe pagesës së sigurimeve shoqërore që duhet të paguhen në fund të marsit. Greqia ka 73 raste të konfirmuara me koronavirus por ende nuk ka viktima.
“Përhapja e koronavirusit ka efekte të dëmshme në shëndet dhe ekonomi. Ndikimi është më serioz sesa vlerësimet tona fillestare,” tha ministri grek i Financave, Christos Staikouras para gazetarëve.
Qeveria greke ka ndaluar tubimet publike në tre rrethe në jug-perëndim të vendit dhe ka urdhëruar shkollat që të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim të mëtejshëm.
Kompanitë që veprojnë në zonat e prekura nga shpërthimi i koronavirusit, të cilat u mbyllën për të paktën 10 ditë, do t’u jepet katër muaj kohë për të paguar TVSH-në. Afati i fundit për pagesat e sigurimeve shoqërore do të zgjatet në mënyrë të ngjashme.
“Qeveria do të rrisë buxhetin e ministrisë së shëndetësisë me 15 milion euro për të mbuluar rritjen e pagave dhe kostot e lidhura me kujdesin intensiv në spitale”, tha Staikouras.
Qeveria gjithashtu do të inkurajojë punëdhënësit të marrin në konsideratë punën nga shtëpia për të ndihmuar në përmbajtjen e përhapjes së koronavirusit.
Rritja ekonomike greke mund të ngadalësohet nga 2.21% deri në 1.88% këtë vit. Kjo do të thotë që qeveria mund të ketë nevojë të kërkojë buxhet shtesë për shpenzime të mundshme të jashtëzakonshme për shëndetin.
Staikouras tha se rregullat e rrepta të buxhetit të Bashkimit Europian duhet të hiqen për të krijuar më shumë hapësirë fiskale për të ndihmuar në trajtimin e krizës së koronavirusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.