Lajme

Greqia shton sportelet në Kakavijë, lehtësohet lëvizja e automjeteve pas trafikut në kufi

Gazeta Si – Në doganën greke në Kakavijë trafiku i automjeteve drejt Shqipërisë është reduktuar plotësisht për momentin.

Pas ndërhyrjes së ambasadores shqiptare në Greqi, Luela Hajdaraga, pala greke njoftoi se do të aplikojë metodën e re të kontrollit të përshpejtuar me një ndalesë.

Pra, kontrolli policor dhe ai doganor kryhen në një sportel, ndërsa kontrolle të detajuara do të kryen me përzgjedhje.

Nga ana tjetër, pala greke ka marrë përsipër të shtojë sportelet e saj për kalimin sa më lehtë të procedurave, duke shmangur kështu trafikun e rënduar në anën e saj të qindra automjeteve në radhë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë dhe Ambasadës së Greqisë në Tiranë është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke, për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.

“Pas kërkesës së palës shqiptare ndaj Ministrisë së Brendshme të Greqisë në pjesën greke nisi procedura e kalimit të përshpejtuar, një procedurë teknike që ka çuar në lehtësimin e lëvizjes. Ndërkohë autoritetet greke kanë marrë përsipër edhe shtimin e numrit të sporteleve”, njoftoi Ministria e Jashtme.

Në pikën doganore ka mbërritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për qarkun për palën greke. Aktualisht, situata po shkon drejt normalizimit.

Mëngjesin e sotëm, në pikën kufitare të Kakavijës ka pasur radhë automjetesh prej 4 kilometrash. Shkak është bërë pala greke e cila po punon me dy sportele në dalje dhe në hyrje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë