Jete & Stil

Greqia propozon ishullin e parë në botë që do të varet plotësisht nga energjia e rinovueshme

Greqia do të ketë ishullin e parë në botë që do të varet plotësisht nga energjia e rinovueshme, një projekt ambicioz që mund ta kthejë vendin fqinj në pionierin e luftës për mbrojtën e mjedisit.

Kryeministri Qiriakos Mitsotaqis ndodhet në ishullin Cikladik të Astypalea, ku do të takohet me drejtorin e Volkswagen, Herbert Diess. Ishulli u zgjodh nga Grupi Volkswagen për ta kthyer atë në një model për ndryshimin e stilit të jetesës dhe gjetjen e një modeli të ri shoqëror që nuk dëmton planetin.

Ai do të kthehet në “Ishullin e Gjelbër” të Europës.

Objektivi është që të gjitha aktivitetet e jetës së përditshme të Astypalaia të bëhen me energji të rinovueshme, duke filluar nga furnizimi me energji elektrike deri te transporti.

Nga 1500 makina që janë aktualisht në ishull, 1.000 do të zëvendësohen menjëherë me makina elektrike. Po ashtu në ishull do të vendosen edhe gjashtë stacionet e para të karikimit të dyfishtë për makinat elektrike. Qeveria do të sigurojë grante për vendasit për t’i bindur të marrin makina elektrike dhe biçikleta.

Deri në vitin 2026, qeveria gjithashtu dëshiron që të gjithë autobusët në ishull të jenë pa shofer. Në mënyrë që të ndodhë kjo, sidoqoftë, infrastruktura e ishullit duhet të ndryshohet dhe të mbështetet plotësisht nga teknologjia 5G.

Për më tepër, projekti siguron krijimin e një stacioni elektrik hibrid duke përdorur energji të rinovueshme, një turbinë ere, një park fotovoltaik dhe bateri magazinimi që do të sigurojnë energji elektrike 24 orë në ditë.

Prodhuesi gjerman Volkswagen ka luajtur një rol kryesor në projekt dhe tashmë ka dhuruar katër automjete elektrike për policinë lokale, rojet bregdetare, Shërbimin e Aviacionit Civil dhe komunën e Astypalaia.

Mitsotaqia po merr vetë pjesë në dorëzimin e makinave elektrike për banorët. Një memorandum midis kompanisë gjerman dhe Greqisë për të krijuar një sistem lëvizës novator në ishull u nënshkrua në nëntor të vitit 2020. Projekti pritet të fillojë fillimisht për gjashtë vjet, dukë bërë që i gjithë ishulli të varet nga energjia e gjeneruar kryesisht nga burimet lokale të energjisë së gjelbër (diellore dhe erë).

Mbi 30% e fondeve të BE për Greqinë po përdoren po ashtu për energjinë e rinovueshme. Greqia po merret ende me efektet e një krize financiare një dekadë të gjatë, por ka ndarë 6.2 miliardë euro për projekte të gjelbërta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë