Ndërsa Komisioni Europian bëhet gati të paraqesë një propozim për të lejuar njerëzit e vaksinuar të udhëtojnë lirshëm nëpër bllok, vende të tilla si Greqia tashmë kanë filluar të punojnë për pasaportat e tyre të vaksinave.
E vendosur për të hapur turizmin për vizitorët e huaj në pranverë, Greqia po përgatitet që turistët nga vende si Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar të fillojë të vijnë që në prill. Me miratimin e pasaportës europiane të vaksinimit, vendi fqinj planifikon më pas të heqë karantinën për të gjithë qytetarët nga Europa që kanë imunitet ose rezultojnë me tampon negativ.
Ministria Greke e Turizmit ka nënshkruar një marrëveshje për nxjerrjen e pasaportave të vaksinimit me Izraelin dhe po punon për marrëveshje të ngjashme bilaterale me 10 vende të tjera; Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Australinë, Serbinë, Rusinë, Ukrainën, Kinën, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.
“Plani ynë është të lejojmë personat e vaksinuar dhe ata që nuk janë vaksinuar por kanë teste negative të jenë në gjendje të udhëtojnë në Greqi, pasi gjithë do t’i nënshtrohen testeve të rastit pas mbërritjes,” tha Harry Theoharis, ministri grek i turizmit.
“Sigurisht, njerëzit që punojnë në industrinë e turizmit do të vaksinohen dhe në të njëjtën kohë, njerëzit që do të rezultojnë pozitivë do të izolohen në hotelet e karantinës”, tha ai. Përsa i përket turistëve europianë, Greqia shpreson që Bashkimi Europian të miratojë sa më parë një “certifikatë vaksinimi” për të lejuar udhëtimin falas për të gjithë ata që kanë marrë vaksinën. Por nëse jo, vendi fqinj do të vazhdojë me certifikatat, duke pranuar turistë të vaksinuar, madje edhe me vaksinat ruse dhe kineze.
Theoharis shpjegoi se “ne jemi shumë të kënaqur që propozimi ynë në lidhje me pasaportat e vaksinimit është miratuar nga Komisioni Europian dhe ne shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë.
“Gjithsesi Greqia do të duhet të miratojë rregullat e veta dhe natyrisht të njohë certifikatën e vaksinimit të secilit vend evropian.”
Ndërkohë, me slloganin e saj të ri “Gjithçka që dëshironi është Greqia” Athina ka imunizuar të gjithë ishujt, duke vaksinuar me ritme të shpejta banorët dhe ata që punojnë në industrinë e turizmit, për të pushime sa më të sigurta.
Hotelet, të cilat po hapin dyert e tyre në maj, po ndjekin protokollet e rrepta të higjienës që u aplikuan vitin e kaluar. Deri atëherë vaksinimi i 300,000 punonjësve të sektorit të turizmit do të ketë përfunduar. “Në vitin 2020, hotelierët grekë provuan se mund të zbatonin në mënyrë efektive protokollet shëndetësore. Ne respektuam me përpikëri të gjitha rregullat. Pra, vetëm një pjesë e vogël e rasteve të koronavirusit u zbuluan në hotele. Kërkesa për Greqinë është shumë e lartë, megjithëse rezervimet nuk janë bërë ende, ”tha Grigoris Tasios, Presidenti i Hotelierëve Grekë. /Euronews/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje