Mendim

Greqia, aleatja e preferuar e SHBA-së në rajon

Në pamje të parë, Greqia mund të jetë një nga më pak të favorizuarat në Evropë për të ndërtuar një aleancë të fortë me Shtetet e Bashkuara. Vitin e kaluar, një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew zbuloi se një 59% e publikut kishte pikëpamje të pafavorshme kundrejt Shteteve të Bashkuara. Dhe nuk është vetëm efekti Trump. Në 2014, në kohën e presidentit Barak Obama, vetëm një e treta e grekëve besonin tek lidershipi amerikan, ndërsa 52 për qind mbështesnin Rusinë.

Por Greqia është kthyer tanimë në një nga miqtë më të afërt të Shteteve të Bashkuara në BE dhe Ballkan. Geoffrey Pyatt, ambasadori i Uashingtonit në Athinë, kohët e fundit e vlerësoi e vendin fqinj si "një shtyllë stabiliteti në një rajon të vështirë si Ballkani". Sipas fjalëve të tij, bashkëpunimi mes dy kombeve, duke filluar nga importet e gazit të lëngshëm, tek mbrojta ushtarake po rriten me "shpejtësi maksimale".

Një aspekt i këtij bashkëpunimi ka të bëjë me rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme në fillim të muajit, gjatë të cilave Demokracia e Re e kryesuar nga Kyriakos Mitsotakis, një ish-financier i arsimuar në Harvard, mposhti ish-kryeministrin Aleksis Tsipras. Shumë nga mediat perëndimore presin që Mitsotakis së shpejti do të kërkojë të thellojë lidhjet me BE, NATO-n dhe sigurisht ato me Shtetet e Bashkuara.

Kyriakos Mitsotakis

Megjithatë, kthimi i Greqisë në drejtim të Shteteve të Bashkuara ka rrënjë më të thella se sa thjesht një ndryshim i thjeshtë i qeverive në Athinë dhe pjesa më e madhe e meritës i takon vetë Tsipras.

Gjatë dekadës së fundit, rivalja më e madhe e Greqisë, Turqia është armatosur me ritme të shpejta falë bashkëpunimit jo vetëm me SHBA-në, por edhe me Rusinë dhe Kinën.
Tani, mosmarrëveshjet detare dhe blerja e një sistemi për mbrojtjen raketore nga Rusia kanë shuar shpresat për përmirësimin e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Turqisë.
Përplasjet e vazhdueshëm mes avionëve ushtarakë në ishujt e Egjeut janë një realitet i përditshëm. Sikur të mos mjaftonte kjo, Turqia pretendon se depozitat e hidrokarbureve në brigjet e Qipros dhe në afërsi të ishullit grek të Kastelorizos i përkasin Ankarasë dhe ka filluar prej javësh kërkimet për naftë në këtë zonë. Në kundërpërgjigje, Greqia shkoi në Uashington duke kërkuar ndihmë.

Në vizitën e tij të parë në Uashington, dy ditë pas emërimit, ministri i Jashtëm i grek Nikos Dendias i kërkoi hapur SHBA-së që ta mbronte Greqinë nga Turqia. Në takimin e tij me Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo, Dendias kërkoi një “linjë të pastër komunikimi” mes Athinës dhe Uashingtonit në rast se lind ndonjë konflikt me Turqinë.
Ai i deklaroi Pompeos se Ankaraja po shkakton tensione të pashembullta në Egje dhe jashtë Qipros dhe po vazhdon shpimet për naftë dhe gaz në ujërat sovrane të ishullit pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare. “Amerikanët do t’i përgjigjen shqetësimit tonë”, tha Dendias në fund të takimit.

Po ashtu, zyrtarët grekë po kërkojnë me ngulm lidhje më të ngushta me ushtrinë amerikane. Mediat greke bëjnë të ditur se Athina dhe Uashingtoni po diskutojnë zgjerimin e operacioneve në bazën ajrore të Larissas, në Greqinë qendrore si dhe trajnimin e ushtrisë greke nga Uashingtoni.

Aleksis Tsipras dhe Donald Trump


Tanimë ushtria e amerikane ka nisur zyrtarisht bisedimet për të zgjeruar operacionet e saj në Greqi, duke përfshirë ndër të tjera edhe përdorimin e të tjera bazave ajrore dhe detare në vendin fqinj.

Sipas zyrtarëve amerikanë, ka një sërë faktorësh gjeopolitikë dhe gjeografikë që e bëjnë Greqinë një vend ideal për vendosjen e bazave të ushtrisë amerikane. Falë shqetësimeve të përbashkëta (ndërhyrja e Rusisë, anëtarësimi në NATO dhe konfliktet me Turqinë), marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Greqisë janë tanimë në kulmin e tyre.

Në tetor të vitit 2017, Presidenti Donald Trump priti Tsipras në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti uroi Greqinë për përmbushjen e objektivit të NATO-s, duke shpenzuar 2 për qind të PBB-së në mbrojtje dhe firmosi një marrëveshje me vlerë rreth 1 miliard dollarë për të riparuar 84 nga 154 avionët luftarakë të forcave ajrore greke.

Riparimi i avionëve “F-16”, i cili filloi në vitin 2018, u pasua nga përmirësimi i marinës greke dhe blerja e helikopterëve Seahawk nga Shtetet e Bashkuara. Greqia gjithashtu ka filluar importimin e gazit të lëngshëm nga SHBA-ja, vendim i cili duket është “muzikë” në veshët e administratës së Trump. Edhe pse u cilësua si "Kali i Trojës" i Kremlinit në ditët e tij të para në pushtet, Tsipras u kthye me kalimin e kohës në një partner model për Shtetet e Bashkuara.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë luajtur tradicionalisht arbitrin dhe paqeruajtësin midis dy aleatëve të saj në Mesdheun Lindor, Greqinë dhe Turqinë, tanimë Uashingtoni ka arsye strategjike për t’u “ankoruar” në brigjet e Athinës. Lidhjet gjithnjë e më të ngushta të Erdoganit me Rusinë kanë irrituar shumë zyrtarë në Uashington, sidomos në Departamentin e Mbrojtjes. Pas marrjes së sistemit rus “S-400” është pothuajse e sigurt se Shtëpia e Bardhë do të vendosë sanksione kundër Ankarasë.

Nga ana tjetër, Greqia duket se po shkëput hap pas hapi marrëdhëniet e saj historikisht miqësore me Rusinë, një tjetër vend me shumicë krishtere ortodokse që dikur e ndihmoi Greqinë në luftën e saj për çlirimin nga sundimi osman.

Ndërkohë, gjatë dekadës së fundit, Greqia ka krijuar lidhje jashtëzakonisht të ngrohta edhe me Izraelin. Bashkëpunimi me Izraelin dhe Qipron është në kulmin e tij dhe përfshin fusha si mbrojtja, kërkimet naftë dhe gaz dhe siguria detare, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo mori pjesë gjithashtu në një samit në Izrael, që mblodhi së bashku Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, Tsipras dhe presidentin qipriot Nikos Anastasiades. Në fund të vitit 2018, Tsipras dhe Anastasiadis mbajtën gjithashtu një takim me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi në Kretë. Skema trepalëshe, e fokusuar kryesisht në bashkëpunimin energjetik, ka marrë bekimin e Uashingtonin dhe ka afruar edhe më shumë Greqinë dhe SHBA-në.

Politika e jashtme e Mitsotakis ka të ngjarë të jetë e ngjashme. Kryeministri grek pritet të vazhdojë afrimin me Shtetet e Bashkuara, për ta kthyer Greqinë në aleatin më të madh të Uashingtonin në Ballkan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë