Një 44-vjeçare shqiptare ka përfunduar në gjendje kome dhe po lufton për jetën në një nga spitalet e Athinës për shkak të xhelozisë së bashkëshortit të saj.
Mediat greke raportojnë se gruaja është goditur disa herë me thikë nga bashkëshorti i saj në një lagje periferike të qytetit të Korinthit, ku çifti i shqiptarëve, së bashku me dy fëmijët e tyre jetonin prej vitesh.
Gruaja, identiteti i të cilës nuk bëhet publik nga mediat greke, punonte si pastruese. Pasditen e së shtunës, kur ajo ka dalë nga një banesë e zonës ku punonte e ka pritur bashkëshorti i saj. Mes tyre thuhet se ka patur fillimisht një debat dhe më pas burri ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur bashkëshorten e tij disa herë me të.
44-vjeçarja ka marrë plagë të rënda në bark e gjoks, ndërkohë që autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është ende në kërkim nga policia greke.
Kjo është ngjarja e radhës e kronikës së zezë ku protagonistë bëhen shtetas shqiptarë. Disa ditë më parë, autoritetet greke arrestuan një baba shqiptar, i cili vrau dhe më pas groposi në oborrin e banesës së tij në Korfuz të bijën 28-vjeçare, pasi kjo e fundit ishte e lidhur me një shtetas afgan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


