Lajme

Greqi, arrestohet “truproja” shqiptar i kryeministrit Tsipras

Një i ri shqiptar në Greqi ka kaluar kufijtë e fantazisë, pasi hiqej si truprojë e kryeministrit Aleksis Tsipras.

Ai është vënë në pranga dhe para prokurorëve ka pranuar se kjo kishte qenë ëndrra e jetës së tij dhe në pamundësi për ta realizuar, e kishte sajuar.

Mediat greke shkruajnë se ai vepronte njëlloj si një truprojë, por doli blof, kur i tha një polici rrugor se ishte me shërbim pranë godinës së Kryeministrisë, pasi ishte roja personal i Tsipras dhe ishte aty me mision që t’i siguronte jetën kryeministrit grek.

Përballja e tij me policin ndodhi pasi shqiptari ndërhyri brutalisht në një debat mes rrugorit dhe një kalimtari, e madje e kërcënoi efektivin se do t’i vendoste prangat.
Ky i fundit kërkoi verifikim, por shqiptari u frikësua dhe u largua me vrap, duke lënë pas edhe një çantë shpine, që i ra në tentativë për të shmangur arrestimin.

Brenda çantës policia greke gjeti një mjet identifikimi dhe prej saj mbërriti deri te banesa e shqiptarit, ku gjatë kontrollit zbuloi dokumente identifikimi false, radiomarrëse, një armë dhe pranga.

I riu, 28 vjeç është arrestuar dhe tashmë duhet të përballet me disa akuza të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë