Zjarret paraqesin rreziqe serioze për gratë shtatzëna dhe fetuset në zhvillim, duke përfshirë peshën e ulët të foshnjës dhe lindjen e parakohshme. Por zyrtarët e shëndetit publik nuk po bëjnë aq sa duhet për t'i mbajtur të sigurtë, sipas një studimi të ri.
“Ndërsa ne e dimë se zjarret po vazhdojnë të intensifikohen dhe ne jemi gjithnjë e më të qartë se çfarë dëmesh paraqesin zjarret për shëndetin e nënës dhe të porsalindurve, ne ende nuk po shohim llojin e përgjigjes nga politikëbërësit dhe zyrtarët e shëndetit publik që na nevojitet”, thotë Skye Wheeler, studiuese në Human Rights Watch dhe një nga autorët e raportit.
Wheeler dhe studiuesit anketuan më shumë se 50 mjekë, mami dhe punonjës të tjerë në Oregon, i cili këtë vit ka përjetuar sezonin më të keq të zjarreve.
Ata thanë se zyrtarët e shëndetit publik nuk po bënin mjaftueshëm për të komunikuar paralajmërime dhe informacione për sigurinë ndaj komuniteteve të cenueshme. Punonjësit e shëndetësisë thanë se autoritetet nuk u kishin dhënë atyre udhëzime mbi rreziqet specifike që paraqesin zjarret për gratë shtatzëna dhe se ato zakonisht bënin hulumtimet e tyre për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që u bëhen nga pacientet.
“Rreziqet mjedisore si tymi i zjarrit dhe nxehtësia po rriten çdo ditë”, thotë Rebecca Schmidt, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Davis, e cila nuk ishte e përfshirë në raport.
“Tani për tani, nuk mendoj se personeli mjekësor janë trajnuar për ato ekspozime të mundshme dhe për atë që mund dhe duhet të bëjnë për shëndetin e pacientëve.”
Tymi i zjarrit përmban një përzierje kimikatesh të paqëndrueshme, monoksid karboni dhe PM 2.5, grimca të imta që mund të depërtojnë në mushkëri dhe madje të futen në qarkullimin e gjakut. Hulumtimet në rritje tregojnë se ekspozimi ndaj PM 2.5 nga tymi i zjarrit lidhet me peshë më të ulët të lindjes, dëmtim të fetusit në zhvillim dhe rritje të rrezikut të lindjes së parakohshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.