Njerez

Gratë rome në Shqipëri, vetëm 11% mbarojnë shkollën e mesme, 65% të papuna

Nga Gazeta Si- “8 prillin e shoh si qasje njësoj si 8 marsi, gruas i jepet lule në këtë ditë dhe në ditët e tjera e dhunojnë, e vrasin. Problemet e komunitetit rom i shoh më thellë se ndërgjegjësimi në një ditë si kjo”.

Ina Majko është një aktiviste e njohur për të drejtat e komunitetit rom. E pyetur nga Gazetasi.al ajo thotë se romët kanë nevojë të dëgjohen dhe të kenë vëmendje, jo vetëm mediatike dhe politike çdo ditë.

‘Statistikat flasin vetë. Gruaja rome në Shqipëri përjeton sfida social-ekonomike shumë më tepër se gratë e popullatës në përgjithësi. Historia ime është një dëshmi e mundësisë së ndryshimit, por, për shumë gra si unë, realiteti vijon të jetë i ashpër dhe sfidues”, thotë Majko.

Sipas saj, në vitin 2018, vetëm 11% e vajzave rome në Shqipëri mbaruan arsimin e mesëm, krahasuar me 82% të vajzave jo-rome, një hendek kyç që Ina e sheh si fillimin e një cikli të mungesës së mundësive.

Nga punësimi në tregun e punës, përqindja është edhe më e ulët, ku vetëm 11% e grave rome janë të punësuara formalisht, ndërsa 65% e tyre janë të papunësuara, duke i bërë të varura financiarisht nga burrat e tyre ose familjarët e tyre mashkull.

Por pengesat më të mëdha janë në fushën e shëndetësisë.

Majko thotë se shumë gra rome përballen me vështirësi për të aksesuar shërbime bazë shëndetësore. Sipas saj, ky akses i kufizuar shkon përtej një çështjeje të thjeshtë burokratike, pasi është i rrënjosur në stigmat dhe paragjykimet që përcjellin gratë rome nga lindja në pleqëri.

Paragjykimet ndaj grave romë janë ende të pranishme në sistemin shëndetësor, duke u manifestuar përmes trajtimeve diskriminuese dhe pengesave të papranueshme.

Ina thotë se disa rekomandime të Bashkimit Evropian e Këshillit të Evropës kërkojnë garantim të aksesit në Shërbime Shëndetësore dhe Sociale

“Është jetike që të ofrojmë shërbime shëndetësore dhe sociale falas dhe të specializuara për gratë rome, përfshirë programet për shëndetin riprodhues dhe mbështetjen për viktimat e dhunës në familje”, thotë aktivistja Ina Majko.

Një tjetër rekomandim që vjen nga institucionet ndërkombëtare është themelimi i qendrave shëndetësore komunitare që ofrojnë kujdes falas dhe i përshtatshëm kulturës, veçanërisht në zonat rurale dhe komunitetet e izoluara ku jetojnë shumë romë.

Gjithashtu, ka dhe programe të mbështetjes sociale që synojnë eliminimin e barrierave ekonomike që pengojnë gratë romë nga aksesimi i shërbimeve esenciale shëndetësore dhe sociale.

“Këto rekomandime kanë mbetur në letër sepse nuk ka vullnet politik, si politikbërësit dhe ata që i zbatojnë ato, të cilët gjejnë rrugën më të lehtë, mbylljen e dyerve, atyre njerëzve që janë ndër shekuj të diskriminuar”, përfundon Majko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë