Portofol

Grafikët – Shqipëria në paradhomën e krizës energjetike të ngjashme me të vitit 2002

Hidrocentralet në Kaskadën e Drinit ndodhen në nivelin e tyre më të ulët, që prej fillimit të viteve 2000, kohë kur vendi u përfshi nga një krizë e thellë e energjisë elektrike, me kufizime të furnizimit nga 12 orë në Tiranë, deri në 20-22 orë në rrethe dhe zonat rurale.

Aktualisht, niveli i Fierzës është 261.1 metër, ose 31.5 metra poshtë nivelit që ka qenë në këtë periudhë të vitit të kaluar dhe 34.9 metër poshtë nivelit rekord maksimal të marsit 2018-të. Niveli minimal, kur ky HEC fik turbinat është 240 metra.

Të dhënat japin një panoramë të zymtë dhe tregojnë të gjitha simptomat e një krize energjitike që sa vjen e thellohet dhe situata bëhet edhe më kritike nisur nga çmimi i energjisë në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i një megavati për marsin është mesatarisht 250 euro.

Çmimi nuk është problemi i vetëm dhe as më madhori. Mungesa e sigurimit të sasisë së nevojshme në treg është problem real. Kjo konfirmohet në një prej tenderave të fundit për blerje energjie të organizuar nga KESH nga data 18 deri më 26 mars, ku për lotin e parë nuk ka siguruar dot asnjë ofertë.

E gjithë kriza e kësaj periudhe mbërrin pak muaj pasi vendi regjistroi prodhimin rekord të energjisë elektrike, prej rreth 9 miliardë kilovatësh gjatë 2021-it, me një rritje prodhimi prej 70 për qind në krahasim me një vit më parë.

Të dhënat e INSTAT treguan se viti 2021 ishte një nga të paktat vite me bilanc pozitiv në shkëmbimet ndërkufitare të elektricitetit, ku eksportet e energjisë elektrike ishin rreth 550 milionë kWh më të larta se sa importet.

Importi bruto i energjisë elektrike gjatë 2021 arriti vlerën 228 GWh nga 681 GWh, që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rënie me 66,5 %, ndërsa eksporti bruto i energjisë elektrike arriti vlerën 924 GWh nga 224 GWh duke shënuar një rritje me 4,1 herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë