Nga Edmond Prifti - Nëse kërkoni të ndiheni sikur jetoni në shekujt e shkuar, ashtu si bohemë, mes historive të gjalla ende edhe sot, një mënyrë arratisjeje larg smogut, zhurmave e kafeneve të pafundme, por edhe atje ku mezi kapin valët telefonike, Grabova, e fshehur mes maleve, do t’iu ofrojë jo pak nga këto kënaqësi.
Ky fshat, dikur një qytet i madh në lashtësi, ofron që nga turizmi malor, kanioning, turizmin e bardhë, atë fetar dhe kulturor – vendi ku ndërthuren kultura e arumunëve autoktonë dhe e shqiptarëve ndër shekuj, me kisha të lashta, por edhe me urat e ndërtuara që nga mesjeta e hershme (midis Perandorisë Romake e asaj Bizantine, e vitit 1021), pothuajse të padëgjuara për ekzistencën e tyre në ndonjë fshat apo qytet tjetër shqiptar. Por, sipas studiuesit dhe shkrimtarit Meçan Hoxha në librin “Grabova e bukur me arumunë” (botim i vitit 1998), thuhet se “... ngujimet ilirike të Grabovës përkojnë që në vitet 300-230 para Krishtit”, ndërsa përmend gjithashtu se “Deapolisi i famshëm, fisit të Desaretëve nuk ka qenë në Gositmë, por në Grabovën e Sipërme”.
Dhe ajo që bën çudi, Grabova, ashtu siç e thotë edhe Sokrat Paço, një banor i Grabovës, “... çuditem kur dëgjoj se si kanë bërë ca pika turistike që s’ia vlejnë dhe lihet Grabova. Nuk duam asnjë gjë, veç... xhade”. Dhe vërtet, rruga për të shkuar deri në këtë fshat të mahnitshëm, prej vitesh ka kaluar ndër premtime fjalësh e fushatash elektorale, deri kur në zgjedhjet e fundit të 25 qershorit 2017, banorët e këtij fshati qenë të vetmit që bojkotuan zgjedhjet “... me arsyen e gënjeshtrave të pushtetarëve për ndërtimin e rrugës”, ashtu siç thotë pronari i hotelit alpin dhe baxhos së djathit të Grabovës, Todi Buzo.
Por çfarë ofron Grabova dhe rruga, e cila ndahet nga “qytetërimi” në veçse 5 kilometrat e saj, që nga fshati i fundmë, Lenie? (e njohur ndryshe si Grabova e poshtme). Brenda në fshat, të gjitha vlerat, janë mbrojtur me fanatizëm nga banorët e atjeshëm, kërkuesit e thesareve, vjedhësit e kishave e premtimet e politikanëve e kanë lënë atë pas në kohë dhe harresë.
Rruga dhe vizitorët e këtij fshati alpin
Pas riparimit të rrugës nga Elbasani në Gramsh, nga kompania daneze, e cila ka ndërtuar digën mbi Liqenin e Banjës, rruga deri në Gramsh të ofron një mrekulli të jashtëzakonshme. Më tej duhen edhe 44 kilometra të tjera deri në fshatin e Grabovës së Sipërme. Por këtu fillon edhe problemi... Pothuajse, 5 kilometra nga kryqëzimi i fshatit Lenie, deri në Grabovë, janë të vështira edhe për makinat 4x4, ndonëse turistët jo të rrallë të këtyre zonave, e shohin këtë mundësi si një aventurë më vete, por jo aq edhe për banorët apo ata që nuk disponojnë makina të tilla.
Por atje, banorët vlleh aq mikpritës, të sjellin ndërmend poezinë e Dritëro Agollit “Më prit se po vij shpejt!” e vitit 1963, ku thotë se: Nëse sëmundja vjen tek unë/Ju mos më shpini në spital/Më merrni fshehur dhe pa zhurmë/Më ngjitni diku në mal”, ashtu siç flet edhe teksti i këngës arumune në videon e bashkëngjitur të “Gazeta Si”, “Sipër në mal”.
Ndër adhuruesit e parë që vjen shpesh në këtë vend është edhe kampionia botërore e motoçiklizmit për femra, Enrica Perego, (fituese e vitit 1998 e Kupës së Botës Rally “Montes de Cuenca” në Madrid si dhe e kampionatit italian Motorally në vitin 2000, njëherazi një vit më pas themeluese e shkollës “Enduro” për femra), por edhe klubet e alpinizmit shqiptar, të cilat vijnë shpesh në këto vise.
Ura e lashtë, kalaja dhe kisha
Por gjurmët e hershme të këtij fshati i ka gjetur dhe pasqyruar edhe banori i këtij fshati, Todi Buzo, ku na tregon për urën e vjetër romake të vitit 1021… mbi përroin e Sharrës, me një hapësirë drite prej 15 metrash, e ndërtuar me gurë të skalitur (veçse një prej tri urave e mbetur “gjallë”; një nga koha e tjetra nga gjurmuesit e thesareve që pretendonin se poshtë këmbëve të saj kishte florinj).
Në mesin e qemerit nga ana e poshtme e kësaj ure varej një kambanë, e cila tundej kur frynte erë e fortë apo kur fryhej lumi, duke paralajmëruar udhëtarët që ecnin me karvanët e tyre këtyre anëve, për rrezikun e fenomeneve natyrore. Lashtësia e këtyre urave tregon se ato janë ndërtuar në këtë zonë përgjatë degëzimit të vjetër të rrugës Egnatia, duke siguruar lidhjen e qytetit mesjetar Grabovë me Voskopojën, i njohur asokohe si një nga qytetet më të rëndësishme të kohës.
Diku pranë fshatit ndodhen dhe fragmentet e një kalaje të hershme të ruajtura ende edhe sot, ku objekte arkeologjike me vlera si enë balte, vegla pune apo maja heshtash janë gjetur edhe nga banorët e zonës; çka dëshmon se lashtësia e këtij vendi, nuk është thjesht një gojëdhënë...
Tradita në fushën e ndërtimit do të përbënte një ndër krenaritë e grabovarëve, duke përmendur kësisoj edhe kishën e Shën Nikollës me afresket dhe ikonostasin prej druri të gdhendur, duke vazhduar me kambanoren, që zë një pjesë të madhe të kishës. Por, edhe kisha e Shën e Premtes ose e Shën Parashqevisë paraqet edhe njëherë numrin e madh të banorëve të dikurshëm dhe një qytetërimi të lashtë, ashtu si edhe ndërtimi i centralit të parë me dritë elektrike (para elektrifikimit të Shqipërisë) në këtë fshat disa vite pas çlirimit...
Pak histori për Grabovën
Fshati i njohur me emrin Grabova e Sipërme, Grabova A apo Greva, në gjuhën arumune, aktualisht ka 400 frymë apo 70 shtëpi, kryesisht të ndërtuara me stilin e rrasave të gurit. Sot ky fshat ka një hotel alpin me rreth 30 shtretër.
Dikur Grabova, shtrihej sipër Luginës së Valamarës, aty ku duken ende dallohen rrënojat e shtëpive të vjetra... Fshati i sotëm ishte një ndër qytetet më të rëndësishme vllahe që në mesjetën e hershme, me 12 mijë banorë, i renditur i dyti pas Voskopojës, për nga popullsia, por ndoshta i pari, për nga figurat e njohura që nxori ky vend, si ajo e Mitropolitit të Transilvanisë (Rumani) Andrei Shaguna apo Vëllezërit e famshëm Grabovari (apo siç u njohën edhe si Cetiri Grabovari, katër vëllezërit, e afreskeve të kishave ballkanike, e që një “copëz e tillë” gjendet ende në pjesën e altarit të kishës së “Shën Nikollës” në Grabovë), të madhit, aktorit Sandër Prosi, e shumë të tjerëve.
Ajo që dihet nga dosjet historike është se, që nga viti 1431 barinjtë vllahë, që nuk pranuan ndryshimin e besimit fetar, u shtynë deri këtu me një identitet të vetin, me karakteristika të veçanta etnokulturore, në Grabovën e Sipërme, e cila luajti një rol të rëndësishëm si qendra e dytë pas Voskopojës, me një status të veçantë me varësi direkt nga Valide Sulltani (Ayse Hafsa Sulltan, e ëma e “Sulltanit të Madhërishëm”). Grabova, në shekullin e XVII-të, arriti stadet e plota të një qyteti.
“Juve rumunë të nahijes së Beratit, myzeqarë dhe vllahë grabovarë, katunde dhe çifligje. Ju lajmëroj se ia ku vura një epitrop që të më ndreqë manastirin e plakut Kozma; ndihmova dhe unë me aspra e të ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatri dhe pastaj do t’i paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj, ashtu të bëni pas këtij vendimi”, ka qenë ky teksti i letrës që Ali Pashë Tepelena u dërgonte banorëve të Grabovës së Krishterë (emri që e mbajti për t’u dalluar nga Grabova e Poshtme apo Lenia), të dhëna këto nga studiuesja Llambrini Mitrushi, e cila ka hulumtuar kodikun e kishës së “Shën Kozmait”, ndërsa përshkruan se, ekzistojnë dy letra të dërguara nga Ali Pashë Tepelena banorëve të zonës së Grabovës.
Studiuesi Meçan Hoxha është një nga ata që beson se Grabova është një nga vendbanimet më të rëndësishme e më të populluara pas Voskopojës, e cila flet për kulturën e civilizimin bizantin e atë romak, nëpërmjet nyjeve lidhëse të rrugës së vjetër Egnatia, njëra nga degët e së cilës kalonte në Grabovë, drejt Shqipërisë së Mesme, e asaj Verilindore. “Grabova mbetet një ndër shtatë vendbanimet vllahe dhe e dyta pas Voskopojës, kultura e të cilave, të çon shumë larg në histori...”, shkruan Hoxha, në librin e tij “Grabova, e bukura me arumunë”.
Dokumentari “Kush jam Unë dhe Shenjti Andrei”
Todi Buzo, përpos rolit të pronarit e njëherazi prodhuesit të baxhos më të madhe të Grabovës, mirëpritësve të maleve, të cilët sfidojnë edhe rrugën “e sakatuar”, si dhe restauruesi i kishës së Shën Nikollës, është gjithashtu dhe një prej aktorëve të dokumentarit, me regji të antropologut Ionuţ Piturescu (njëherazi, me origjinë nga Grabova) që pritet të shfaqet së shpejti edhe në Shqipëri “Cili jam Unë dhe Shenjti Andrei” (Who am I and Saint Andrei), i cili flet për arumunin (vllahun) me origjinë nga Grabova (i ati i tij, Naum Shaguna), Andrei Shaguna (20 janar 1809 – 28 Qershor 1873), Mitropolit i Transilvanisë si dhe një nga liderët politikë të Mbretërisë së Hasburgëve, themelues i Gjimnazit të Brashovit (Rumani) si dhe Anëtar Nderi i Akademisë Rumune.
Më 29 tetor 2011, Andrei Shaguna u kanonizua si Shenjt Sinod i Kishës Ortodokse Rumune, por shumë pak i njohur është ende figura e tij në Shqipëri. Përmes subjektit të këtij dokumentari që pritet të ketë premierën së shpejti, dy arumunë, një nga Grabova dhe një tjetër nga fshati, Andon Poçi, rrugëtojnë në Europë ashtu si dikur Mitropoliti i famshëm grabovar, në pothuajse 9 shtete europiane...
Zona e Gramshit dhe Grabova
Rrethi i Gramshit ndodhet në pjesën qendrore dhe jugore të Shqipërisë, që nga Qafa e Shënkollit, Lleshan në veri deri në Siman (Sqimar) në jug dhe nga Saraseli në perëndim, deri në malin e Valamarës, Lenie në lindje. Sipas të dhënave statistikore të vitit 2004, ky rreth numëron 42.616 banorë.
Gramshi është 97 kilometra larg Tiranës, 94 kilometra larg Korçës dhe 47 kilometra larg Elbasanit. Lartësia mesatare mbi nivelin e detit është 804 metra, ndërsa ajo më e larta është 2.373 metra (Mali i Valamarës), ndërsa minimalja është 119 metra.
Ky rreth shquhet jo veçse për muzikën burimore si “Fyejt e Gramshit”, Lojërat Popullore, por edhe për monumentet “e panumërta” natyrore. Duke qenë me një klimë të përshtatshme për çdolloj sporti dhe një pozitë të favorshme gjeografike, kodrinoro-malor, duke na “dhënë” peizazhe të përkryera që nga luginat e gjera lumore e deri te kanionet, burime të shumta ujore e ujëvarat, ujërat e pijshme dhe ato termale, por edhe hektarë të tërë me pyje rrobulli, ahu e pishe.
Monumentet natyrore më kryesore
Jo larg Gramshit ndodhet Mali i Valamarës, që siç e quan Bashkia e Gramshit përfshihet në “turizmin e bardhë”, ndërsa për turizmin kurativ shfrytëzohen burimet e “Liqenit të Zi”, apo turizmi kulturor e fetar në “Grabovën e Sipërme”. Sipas Bashkisë së Gramshit “… të gjitha këto janë një potencial, të cilëve në qoftë se u jepet vëmendja dhe mbështetja e duhur nga organet përkatëse, duke dhënë investimet e duhura, pa frikë, brenda një kohe shumë të shkurtër mund të zërë vendin e parë në të ardhurat që ajo mund të sjellë në ekonominë e këtij rrethi”.
“Shkëmbi (Kanioni) i Kopaçit (Grabovë)”
Bën pjesë në qarkun e Elbasanit dhe rrethin e Gramshit. Ndodhet në të djathtë të “rrugës” nga Lenia në Grabovë (Lindje-Perëndim) dhe është nën pronësi të komunës Grabovë e Sipërme. Kanioni apo Shkëmbi i Kopaçit ndodhet në lumin e Grabovës, në afërsi të fshatrave Grabovë e Sipërme dhe Lenie. Ky Monument Natyre ka një gjatësi prej rreth 1.5 kilometrash e me thellësi rreth 500 metra. Gjerësia midis dy shpateve të thepisura (të ndara më dysh) është afërsisht 10-15 metra, duke përbërë një ekosistem të veçantë karstik. Rruga nëpërmjet të cilës mund të arrihet: Gramsh-Kodovjat-Bulçar-Grabovë e Poshtme-Lenie rreth 38 kilometra, ndërsa përmes rrugës këmbësore nga fshati Lenie – Kanioni afërsisht, 1 kilometër.
“Liqenet e Valamarës”
Ndodhen në afërsi të Lenies, në shpatin perëndimor të malit të Valamarës (2.373 metra). Përbëjnë një grup prej tre liqenesh akullnajore me gjatësi 300 metra dhe gjerësi 200 metra, duke formuar një ekosistem interesant të liqeneve alpine. Ndodhen në pozicionin gjeografik të verilindjes, në lartësinë 2.226 metra. Me makinë mund të arrihen nga Gramshi-Lenie-Liqeni i Zi, në një distancë prej 47 kilometrash nga qyteti. Ndërsa në rrugë këmbësore, në drejtimin fshati Lenie – Liqenet, në distancën 12 kilometra.
“Moçalet e Grabovës”
Ndodhen në Grabovën e Sipërme, në fundshpatin e malit të Valamarës (Veri-Perëndim) në lartësinë 1.600 metra mbi nivelin e detit (mbi fshatin Grabovë e Sipërme), me një sipërfaqe prej 50 hektarësh, në formën e një shumëkëndëshi të çrregullt me gjatësi 800-1000 milimetra dhe gjerësi prej 400-5000 milimetrash. Përfaqësojnë një mjedis natyror malor, me pamje e bukuri natyrore mbresëlënëse; me vlera ekologjike me kullotën dhe livadhe me një florë të pasur barishtore. Njihen ndryshe nga emërtimet popullore si Moçalet, Gropa e Kryqit apo Prishtakoll. Ka kullota me drurë e grupe drurësh pyjor Rrobulli (Pinus Heldrieci), në brendësi dhe rreth Moçalit me moshë më se 100-vjeçare. Në brendësi të këtij Monumenti Natyre (Shpallur me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr.676, datë 20.12.2002) burojnë dhe rrjedhin një numër i konsiderueshëm burimesh ujore, nga ku kanë marrë dhe emrin “Moçalet e Grabovës”. Rruga nëpërmjet së cilës mund të arrihet është nga Gramshi-Kodovjati-Bulçari-Grabovë e Sipërme, afërsisht 42 kilometra, ndërsa ajo këmbësore nga fshati Grabovë e Sipërme – Monumenti i Natyrës, në një distancë prej 1.4 kilometrash.
“Rrobulli i Valamarës”
Ndodhet shumë pranë fshatit Grabovë e Sipërme (Veri-Lindje) në Malin e Valamarës, në lartësinë 1.425 metra, mbi nivelin e detit. Përfaqëson një sipërfaqe pyjore prej 8 hektarësh në llojin pyjor rrobull (Pinus Heldriechi), me gjendje dhe zhvillim të mirë. Mosha e tyre daton 80 – 100-vjeçare, e sipas A.K.Z.M.-së, “evidentohen dhe dëmtime nga prerjet ilegale të drurëve nga banoret e zonës për nevojat e tyre”. Rruga nëpërmjet së cilës mund të arrihet është Gramsh-Kodovjat-Bulçar-Grabovë e Sipërme, pothuajse 42 kilometra nga qyteti, ndërsa ajo këmbësore nga fshati Grabovë e Sipërme – Monumenti në distancën, 1.4 kilometra.
“Rrobulli i Grabovës”
Ndodhet në shpatin perëndimor (në drejtimin Jug-Perëndim) të Malit të Valamarës (2.373 m), mbi “Moçalet e Grabovës” (MN) në lartësinë 1.800 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një dru Rrobulli (Pinus Heldrieci), me diametër 1.9 metra e lartësi 24 metra. Perimetri i tij është prej 6 metrash, me gjendje dhe zhvillim të mirë. Mosha e këtij druri është rreth 400-vjeçare. Rruga nëpërmjet së cilës mund të arrihet: Gramsh-Kodovjat-Bulçar-Grabovë e Sipërme rreth 42 kilometra, ndërsa ajo këmbësore: Fshati Grabovë e Sipërme – Monumenti i Natyrës me distancë, 1.5 kilometra.
Të tjera
Gjithashtu, në këtë zonë mund të përmendim edhe Monumentet e Natyrës si “Dushku i Bulçarit” (fshati Tarragjin), në fund të shpatit perëndimor të malit të Komjanit (1.791 m), në lartësinë 1100 metra, pranë fshatit Tarragjin e Bulçar, – ku në brendësi gjendet edhe“Teqeja e Bektashiane e Dushkut”, pothuajse 29 kilometra nga qyteti i Gramshit.
Po ashtu, “Liqeni i Zi”, pranë fshatit Lenie në shpatin jugperëndimor të Malit të Valamarës, pranë fshatit Lenie në lartësinë 1.667 metra mbi nivelin e detit; një ndër më të njohurit në rrethin e Gramshit për cilësitë shëruese të disa sëmundjeve kryesisht reumatizmale, që arrihet nëpërmjet rrugës: Gramsh-Lenie-Liqeni i Zi me distancë prej afërsisht 47 kilometrash.
Një tjetër Monument Natyre është edhe“Liqeni i Dushkut”pranë fshatit Tarragjin; një liqen akullnajor me sipërfaqe prej 12 hektarësh, i ndodhur në lartësinë 1.105 metra mbi nivelin e detit, me faunë të ujore të pasur me peshq dhe reptilë. Rruga nëpërmjet së cilës mund të arrihet: Gramsh-Kodovjat-Bulçar-Liqeni i Dushkut me afërsisht 29 kilometra nga Gramshi.
“Ujëvara e Sotirës”, e ndodhur në fshatin me të njëjtin emër ndodhet në shpatin Veri-Lindor të Malit të Tomorit, ku uji del përgjatë një të çarë të madhe gjatësore nga shkëmbinjtë e thepisur gëlqerorë, duke formuar një burim të madh karstik me lartësi prej 10 metrash dhe të shtrirë në gjerësi 3 metra. Rruga nëpërmjet së cilës mund të arrihet: Gramsh-Shumrizë-Kushovë-Sotirë-Ujëvara, me gjatësi 29 kilometra nga Gramshi.
Të tjera monumente në rrethin e Gramshit janë Kanioni i Holtës, Kalaja e Tërvolit, Kalaja dhe shpellat e Kabashit, Kanioni i Devollit (Bratilë), Teqeja e Shëmbërdhenjit të Sipërm (Sot Bletëz), Dërstilat e Kërpicës, Kalaja e Tunjës, Kalaja e Lubinjës…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.