“Më kërcënonte se trupin e motrës vetëm pesë vjeçe do ta gjeja në Durrës të copëtuar dhe të masakruar. Më kërcënonte se nëse shkoja në polici, do e vriste atë. Unë shkova njëherë në polici dhe pastaj u tërhoqa. Ishte i dhunshëm”. Këto përshkrime janë për Nuredin Dumanin, nga vajza A., e cila kur mori statusin e mbrojtjes, foli përmes video-projektorit për drejtësinë franceze për një rrjet trafikantësh që rekrutojnë vajza në Shqipëri dhe përmes mashtrimit i shfrytëzojnë ato në Francë.
A. tregoi se si trafikanti me të cilin ishte njohur kur ishte në gjimnaz, i premtoi martesë dhe se si përmes një agjencie, ndonëse ajo ishte e mitur i prenë një biletë udhëtimi me autobus deri sa mbërriti në Francë. “Kur mbërrita atje më nxori në rrugë, më dogji me cigare, më rrahu”. Profili i të dyshuarit për të cilin flitet detajohet më tej në procesin që angazhoi edhe ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda si “të paskrupullt dhe i aftë të bënte gjithçka, deri aty sa në një rast kur adoleshentja nga Durrësi u arratis, ai përmes mashtrimit me një vajzë tjetër e ftoi A. që ta takonte”. Kur e reja shkoi në takim me shoqen e saj pa që kishte rënë sërish në grackën e tij, ai e abuzoi seksualisht, i tregoi armën dhe ky ishte çasti final kur A. vendosi të hidhet para një automjeti policor ose për t’u vetëvrarë ose për të shpëtuar përfundimisht nga agresori.
Nuredin Dumani u rikthye në kartelat e policisë shqiptare jo shumë kohë nga vuajtja e dënimit në Francë, ndërsa i vëllai u dënua në Tiranë për të njëjtën ngjarje. Grupi rekrutonte vajza në Durrës dhe Fier, duke studiuar edhe familjet e viktimave të tyre që siç u pa, në rastin e A., ajo po rritej bashkë me të motrën e vogël nga e ëma, një grua e divorcuar.
Pavarësisht se për autoritetet, grupet në Durrës dhe në Elbasan po përplasen edhe për llogari të vjetra dhe për ato të rejat, ajo që e tradhtoi Nuredin Dumanin në vrasjen e Bujar Çelës është një gjurmë papilare. Sipas burimeve të gazetës Si, vrasësi ishte i maskuar dhe shfaqet së bashku me dy të tjerë teksa ekzekutojnë egërsisht Bujar Çelën, vëllai i Talo Çelës. Por edhe pse dy të tjerët nuk janë zbuluar ende, i treti Nuredin Dumani del zbuluar nga gjurma e gishtit që sipas policisë së Elbasanit kishte mbetur në automjetin e autorëve, i shkrumbuar krejtësisht në fshatin Murras. Por policia bën me dije se disponon edhe kamerën e sigurisë, kur të tre vrasësit shfaqen si një togë pushkatimi dhe qëllojnë njëherësh e mandej afrohen dhe qëllojnë edhe nga afër shënjestrës së tyre, i cili nuk njihet aspak si një person problematik dhe as konfliktual.
Përse?
Por njeriu që i kushtoi jetën Bujar Çelës është i vëllai i tij Talo Çela, një i arratisur ndaj të cilit qëndrojnë dy masa arresti në fuqi dhe asnjëra e ekzekutuar nga policia. Në njërën prej tyre Talo Çela dyshohet si bashkëpunëtor në grabitjen e Rinasit dhe në tjetrën si bashkautor në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia. Megjithatë kur policia nuk po gjen asnjë gjurmë të njeriut hije, pala kundërshtare i gjeti të vëllain që ndiqte rutinën e tij në zonën e Bradasheshit. Por ajo që bie në sy është se pavarësisht emrave të publikuar policia vazhdon të mos gjejë gjurmët e asnjërit prej të kërkuarve, as të Nuredin Dumanit i cili është po ashtu i shpallur në kërkim edhe për vrasje të tjera, por edhe të Talo Çelës që veç pazareve, duket sikur ka hapur edhe hesapet e pambyllura për gati 6 milionë eurot e grabitura në Rinas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.