Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar si autorë të grabitjes së postës së Krujës. Gazmir Saka, 32 vjeç, Andi Rexhepi, 30 vjeç dhe Mark Caka, 33 vjeç, që të tre banues në Krujë dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe nën kërcënimin e armëve grabitën filialin e postës shqiptare në qytetin e Krujës në ngjarjen e ndodhur më 4 nëntor.
Policia thotë se si provë materiale ka sekuestruar paratë e vjedhura, tre pistoleta të pajisura me silenciatorë, minë me telekomandë dhe dy automjete, një tip Range Rover dhe një Mercedes Benz, që të dy të dyshuar si të vjedhur dhe që janë përdorur nga grabitësit për t’u larguar pas grabitjes së Postës së Krujës.
Dyshohet se autorët vepronin në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që besohet se ka realizuar të tjera grabitje të bujshme, sidomos në disa vila dhe biznese luksoze në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Prokuroria e Krujës beson se kreu i grupit është shtetasi Andi Rexhepi, njohur edhe ndryshe edhe me emrin Rrem Paturri. Ai është një person me precedentë të theksuar kriminalë në të shkuarën.
Veç tre personave në fjalë, policia beson se ka edhe persona të tjerë anëtarë të këtij grupi kriminal, por për arsye hetimesh nuk bëhen me dije identitetet e tyre. Aksioni për kapjen e tyre u shtri në Krujë, Fushë-Krujë, Tiranë dhe Laç.
Posta e Krujës u grabit në orët e para të mëngjesit të datës 4 nëntor, ku autorët kanë përfituar nga fakti i ikjes së dritave. Ata kanë shkallmuar kasafortën me para dhe janë larguar prej andej me 130 mln lekë dhe 1500 euro. Vetë Posta Shqiptare e pranoi këtë fakt, ndërsa sqaroi se sistemi i alarmit ka funksionuar dhe se e gjithë përgjegjësia bie mbi kompaninë private të sigurisë fizike, që do të dëmshpërblejë shumën e grabitur. Vetë roja i kësaj kompanie që ishte në turn gjatë grabitjes së parave është nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




