Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 18 vite burg në mungesë Talo Çelën për grabitjen e 4.5 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2019.
Talo Çela, që prej vitit 2019 rezulton të jetë personi më i kërkuar në Shqipëri, pasi akuzohet për pjesëmarrje dhe organizime të disa atentateve në Elbasan dhe Durrës. Ai është 53 vjeç, me origjinë nga Elbasani.
Implikimi i tij në grabitjen e Rinasit, u konfirmua sipas SPAK edhe nga disa komunikime të gjetura në aplikacionin Sky, ku Talo Çela shqetësohej në atë kohë për dëshminë e bashkautorit të tij Alkond Bengasi, që bashkëpunoi fillimisht me drejtësinë duke zbardhur ngjarjen.
Në vitin 2023, për grabitjen e 9 prillit 2019, Gjykata e Posaçme dënoi me 122 vite burg në total bashkëpunëtorët e Çelës.
Dënimin më të lartë e mori Klement Çala, me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Çela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me 17 vite burg.
Pjesë e grabitjes u vërtetua të ishte edhe Admir Murataj që mbeti i vrarë gjatë arratisjes, si dhe Ragip Hajdini, ky i fundit humbi jetën në spitalin e burgut nga një sëmundje.
Talo Çela u shpall në kërkim edhe në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”, që çoi në kapjen e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajt si dhe të disa personave të tjerë, pjesë e botës së krimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.