Ana e errët

Grabitën vilat e biznesmenëve me armë në Itali, dy shqiptarët kapen duke bërë pazar

Gazeta Si – Ata lanë “strofkën” ku ishin fshehur, një shtëpi ferme në një fshat të hapur, në Carbonera (në Veneto), për të bërë pazar në Silea.

Gjithmonë të vëmendshëm ndaj lëvizjeve të tyre, në një mënyrë thuajse maniake, dy hajdutë shqiptarë kishin arritur prej muajsh t’i shpëtonin policisë që po i gjurmonte.

Ata sigurisht nuk e imagjinonin që agjentët e skuadrës së lëvizshme të Trevisos, të mbështetur nga kolegët e tyre nga Belluno, po prisnin që t’i kapnin gjatë një “aksioni” nëpër dyqane.

Edison Pula dhe Imer Masha, respektivisht 30 dhe 28 vjeç, janë dy kriminelë të certifikuar, me përvojë dhe të aftë: i pari, i shpallur në kërkim, u akuzua me burg për 15 vjedhje të kryera në Trentino, ndërsa partneri ishte dëbuar më herët nga Italia.

Vila e biznesmenit

Sipas asaj që u konstatua nga hetuesit në Trevizo, shqiptarët kanë kryer që nga shtatori i kaluar të paktën 50 vjedhje shtëpish dhe grabitje mes provincave Trevizo dhe Beluno, por para së gjithash, ata janë protagonistë të një vjedhjeje në 14 nëntor 2021 në një vilë në Marocco të Mogliano Veneto të biznesmenit të naftës, Giancarlo Miotto.

Në orët e vona të pasdites së asaj dite vjeshte, biznesmeni 79-vjeçar, gruaja e tij Irina, mbesa e tyre shtatëvjeçare, dadoja e vogëlushes dhe një shërbëtore u befasuan dhe u morën peng për mbi dyzet minuta nga një grup banditësh. Dy prej tyre të armatosur, hynë duke thyer dritaren e kuzhinës, e vetmja e pa mbyllur me grila.

Njëri prej kriminelëve, duke kërcënuar me armë gruan e biznesmenit, ka arritur të marrë kasafortën e dhomës së gjumit, e alarmin që është aktivizuar menjëherë, ndërsa të tjerët kanë kthyer përmbys dhomat, duke kërkuar për sende me vlerë.

Plaçkitja përfshinte bizhuteri, ar, para, orë të ndryshme të bukura dhe vlerësohej në rreth një milion euro. Grabitësit u arratisën pas mbërritjes së kopshtarit të vilës, një shtetas nga Sri Lanka, i cili ndërhyri pasi kishte dalë për të nxjerrë shëtitje qentë e naftëtarit në kopsht, si çdo mbrëmje.

Dëshmia e biznesmenit

“Menjëherë dyshuam se ishin shqiptarë, – komentoi Giancarlo Miotto, – “sidomos për mënyrën se si flisnin me njëri-tjetrin: një kameriere e njohu theksin e dialektit të shqipes, pasi e kishte dëgjuar nga një i afërm. Sigurisht që jam i lumtur dhe i habitur, edhe pse kam frikë, fatkeqësisht nuk do të gjejmë asgjë: sigurisht që ishte një vjedhje e paramenduar”.

Frika do të mbetet e pashlyeshme përgjithmonë. “Mbaj mend që dy prej tyre ishin të shkurtër në shtat, ndërsa dy të tjerët ishin të gjatë, njëri prej një metër e 90, tjetri të paktën një metër e 80, – shton Miotto, – në atë periudhë ka pasur dhjetëra vjedhje në këtë zonë, jo vetëm tek ne”.

Vjedhjet e tjera

Dy ditë më vonë, në fakt, pati një sulm të dështuar në Villa Da Riva në Zerman, rezidenca e sipërmarrësit Nicola Giol, ish-pronar i grupit “Pam Panorama”. Kujdestari i vilës ka arritur t’i largojë hajdutët, pasi i ka parë përmes kamerave të vëzhgimit.

Më pas, pasoi një bastisje nga hajdutët në një vilë në pronësi të familjes Von Furstenberg: ishte një shtëpi e pabanuar dhe kriminelët arritën të përvetësonin vetëm vetëm orendi shumë modeste.

Tani për tani, është e pamundur të lidhen këto dy fakte të fundit me grabitjen në vilën e biznesmenit të naftës dhe për rrjedhojë me anëtarët e “komandos” të kapur nga policia.

Në strehën e tyre në Carbonera, hetuesit gjetën orë të ndryshme me vlerë (duke përfshirë dy ‘Rolex’), para, sende argjendi dhe mjete për vjedhje.

Mes dy kriminelëve, profili më i rrezikshëm është padyshim ai i Edison Pulës, i akuzuar edhe në Shqipëri për tentativë vrasjeje, grabitje, trafik droge dhe posedim lëndësh plasëse. Partneri i tij ishte dëbuar nga Italia si masë alternative për vuajtjen e dënimit për vjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë