Gazeta Si – Më mirë nuk mund të shkonte ky fundvit për Vllazninë, që sot ka regjistruar fitoren e 3-të radhazi dhe shkon në vend të 3-të me 26 pikë. Shkodranët arritën një fitore të thellë ndaj Skënderbeut, 5-0, në ndeshjen ku të ardhurat nga biletat kanë shkuar për bamirësi.
Njeriu i ndeshjes ishte Ildi Gruda. Sulmuesi shkodran realizoi 3 gola në portën e Skënderbeut, një tjetër gol mban firmën e Balajt dhe një ishte autogol i korçarëve.

Vlllaznia konfirmon momentin e saj të mirë, me 9 pikë të marra në 3 ndeshjet e fundit. Një mbyllje spektakolare e gjysmës së parë të sezonit. Skënderbeu në anën tjetër, ka treguar në stadiumin ‘Loro Boriçi’ se është një skuadër e brishtë.
E ka mbyllur vitin me fitore edhe Dinamo, që fitoi 1-2 në ‘Niko Dovana’ ndaj Teutës. Për skuadrën kryeqytetase realizoi një dygolësh Lorenco Vila, ish-lojtar i Teutës deri sezonin e kaluar. Blutë ngjiten në kuotën e 22 pikëve, kurse durrsakët mbeten në fundin e tabelës.
Java e 18-të e Superiores vazhdon ditën e shtunë me ndeshje interesante, ku veçohet Egnatia-Tirana. Dy ndeshjet e tjera janë Partizani-Erzeni dhe Laçi-Kukësi. Egnatia kryeson renditjen, 5 pikë para Partizanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




